“Nuk ndihem fajtor për vrasje” – Gani Geci deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

Në seancën e parë të rigjykimit për rastin ku Gani Geci akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, që kishte ndodhur më 4 gusht të vitit 2014, prokurori Naim Beka ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën e përdorimit të armës.

Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka dhe heq dorë nga pika e tretë e aktakuzës.

Pas kësaj, në seancën e mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Gani Geci ka deklaruar se për pikën e dytë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, e ka pranuar fajësinë. Ndërsa për pikën e parë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të vrasjes, Geci tha se nuk ndihet fajtor.

“E pranoj fajësinë për mbajtje dhe posedim të armës. Armën e kam mbajtur për vetëmbrojtje, pasi kam pasur disa atentate. Ndërsa për veprën penale vrasje e rëndë nuk ndihem fajtor”, ka deklaruar i pandehuri Geci.

Mirëpo, pranimi i fajësisë është refuzuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Radosllav Markoviq, pasi sipas tij, pranimi i fajësisë shqyrtohet kur të jepet në të gjitha pikat e dhëna si në aktakuzë.

Kështu, seanca ka vazhduar me fjalët hyrëse të palëve në procedurë.

Prokurori Beka ka deklaruar se mbetet pranë fjalës hyrëse që është dhënë më parë nga kolegu i tij, më 4 prill 2016.

“Pas administrimit të provave, do të sjell te marrja e një aktgjykimi meritor, duke marrë parasysh vërejtjet që janë deponuar nga Gjykata e Apelit, ne presim po ashtu që përveç ri-administrimit të provave tjera dhe nga ri-administrimi i provave që i referohet statusit mendor te të pandehurit në kohen e kryerjes së veprës penale, gjykata po ashtu besoi se do të nxjerr konkluzione të ligjshme dhe në fund do të kemi një situatë më të kompletuar rreth kësaj ngjarje”, ka deklaruar prokurori Beka.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Ndercë Dodaj ka thënë se çështja e akuzës është totalisht e parregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Aktakuzat e ndryshme por edhe sipas ish–prokurorit është bërë në pikëpamje objektive. Ai konstatim qëndron edhe tani ne mendojmë së çështja e akuzës është totalisht e parregullt, dhe kjo akuzë siç është lexuar është në kundërshtim me shumë parime të Kodit të Procedurës Penale, zakonisht shkeljet bëhen në dëm të pandehurit, ashtu që shpresoi që në fund të këtij shqyrtimi gjykata do të merr një vendim krejtësisht tjetër nga ajo që pretendohet sipas aktakuzës”, ka thënë avokati Dodaj.

Pas fjalëve hyrëse, gjykimi ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit Afrim Rama, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Më 15 shtator 2014, dëshmitari Afrim në një moment thotë “në momentin kur i tha përshëndetje Ruzhd, Ganiu u ndal dhe u kthye”, po që mos të kishte qenë kjo përshëndetje a do të ndalej Ganiu apo do të vazhdonte sheshit?”, e ka pyetur prokuroi Beka dëshmitarin Rama.

“Vete Ganiun ai e din a ishte ndal apo jo, nuk  e di dhe skam qysh me ditë, edhe ka qenë pas shpinës tem Ganiu”, u përgjigj ai.

“E kujt ka qenë ideja që këta të bashkohen në kafenenë “N’ Qosh”, apo ka ndodhur spontanisht?”, ka pyetur tutje prokurori, për çka dëshmitari u përgjigj: “Spontanisht ka ndodhur”.

Ndërsa, në pyetjet e avokatit Nderc Dodaj, dëshmitari ka deklaruar se nuk e ka parë Gani Gecin duke hyrë apo që ka qenë në lokal.

Pas dëgjimit të tij, seanca e së martës u ndërpre për të vazhduar më 14 prill 2021, në ora 10:00, ku do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve Shani Koca, Sinan Hajrizi, Nebih Koca dhe Ermal Jusufi.

Ndryshe, gjatë seancës, me pajtimin e prokurorit Beka dhe avokatit Dodaj, është konsideruar e lexuar dëshmia e dëshmitares Halime Shaqiri, pasi e njëjta nuk ishte e pranishme në gjykatë, për çka gjykatësi Markoviq deklaroi se e kishte pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, por se nga fletë kthesa është konstatuar se adresa është e panjohur.

Ndryshe, kjo është seanca e parë e caktuar që nga kthimi i këtij rasti në rigjykim nga Gjykata e Apelit, në shtator të vitit 2017, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të “përdorimit të armës”, në kundërshtim më nenin 375 (1) të KPK-së, vepër kjo e dënueshme më një (1) vit deri në (8) vite.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *