Ohër, prindërit të shqetësuar nga dezinfektimi i klasave në prani të fëmijëve

Fotografia që tregon qartë se si fëmijët luajnë pa probleme derisa dezinfektohet klasa në objektin “Rosica”, në çerdhen “Jasna Risteska” në Ohër, po përhapet nëpër rrjetet sociale duke shkaktuar valë reagimesh dhe ankesash nga prindërit dhe qytetarët. Një nënë që e çon fëmijën në këtë kopsht, e cila dëshironte të mbetet anonime, është shprehur se dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

“Kur e mora fëmijën nga çerdhja, kishte inflamacion të syve e më pas u shfaq edhe virus i stomakut. E çova te mjeku amë. Më shkroi ankesë që duhet ta çojë te arkivi i çerdhes për t’i denoncuar pranë Inspektoratit sanitar. Kjo është jashtëzakonisht e papërgjegjshme dhe e pandërgjegjshme. Po të më kishin thirrur në momentin e dezinfektimit, do ta kisha marrë fëmijën nga kopshti”.

Drejtorja e çerdhes thotë se bëhet fjalë për fotografi qëllimkeqe dhe se fëmijët kanë qenë të sigurt.

“Kur e shihni fotografinë, krijohet përshtypja se po bëhet dezinfektim teksa fëmijët janë të pranishëm. Në fakt, kishte të bëjë me nxjerrjen e fëmijëve nga salla që të bëhet dezinfektimi. Nuk është e vërtetë që fëmijët kanë qenë të pranishëm. Në të gjitha objektet, fëmijët nuk janë të pranishëm kur kryhet dezinfektimi, kurse i njëjti nuk është i dëmshëm”, tha Meri Rillkova, drejtoreshë e çerdhes, Ohër.

VMRO DPMNE kërkon reagim nga kryetari i komunës. Njoftuan se do të paraqesin kallëzim pranë inspeksionit sanitar. Komuna e Ohrit hedh poshtë akuzat dhe pretendon se fëmijët nuk kanë qenë në klasë dhe se dezinfektimi është kryer me Desental 0.2%, e cila nuk është e dëmshme për organizmin.

Nga komuna e Ohrit, thonë se për rastin konkret është prononcuar edhe Qendra e Shëndetit Publik, të cilët janë shprehur se nuk bëhet fjalë për asnjë lëshim në situatën konkrete.

Miki Trajkovski

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *