Opozita shqiptare e paqartë për Ligjin për pagat! Gashi tha se do ta kalojnë, Rexhepi thotë se do ta bllokojnë

Propozim-ligji për subvencionimin e pagave të punëtorëve për muajt shkurt dhe mars ende nuk ka kaluar në Kuvend. I njëjti pritet që në shtëpinë e ligjvënëse të vijë në periudhën në vijim. Meqenëse opozita shqiptare tanimë bllokon çdo ligj, në shenjë reciprociteti për ligjin për shtetësi,  në emisionin ClickPlus, një qytetar pyeti liderin e Alternativës, Afrim Gashi, se a do ta bllokojnë edhe këtë ligj apo do ta mbështesin.

Fatmir Aliu: Një qytetar i cili po e pret rrogën, po thotë kështu: A do të mbështesni ligjin për pagesën e pagave të punëtorëve për muajin shkurt dhe mars të cilat janë në Kuvend, sepse prej ministrisë ju ka shkuar njoftimi se pagat vetëm në Kuvend  duhet të shkojnë tash?

E Gashi shprehet se nuk është i informuar se ka një ligj të tillë, por pohon se do ta mbështesin.

 “Sa i përket këtyre rasteve, unë thash në fillim, ne kur shohim se ka një interes të tillë të lartë shoqëror ne i mbështesim këto kërkesa. Natyrisht nuk jam në dijeni se është në procedurë një gjë e këtillë, mendoj se është absolvuar ajo. Por sidoqoftë nëse ka diçka të tillë ne do ta përkrahim”, tha Afrim Gashi – Kryetar i Alternativës.

Po as ky ligj me shumë gjasa nuk do të kalojë. Koordinatori i grupit parlamentar, Skender Rexhepi thotë të kundërtën e kryetarit të partisë.

 “Jo vetëm këto pako, por çdo lloj pakoje që do të vije, çdo lloj propozimi që do të vijë në Kuvend pa marrë parasysh peshën, ne do ta bllokojmë. Arsyeja është e thjeshtë, këto pako parashihen që një kategori qytetarësh të punësuarit në këtë rast, të marrin nga pakoja e pestë, nga e cila kanë marrë 4 pako më herët. Ndërsa për kategorinë e qytetarëve që ne e ngrejmë zërin, nuk kanë marrë fare asnjë pako, ata nuk llogaritën, nuk janë as shtetas të këtij vendi, nuk kanë as ndihmë sociale as ekonomike e as pension”, deklaroi Skender Rexhepi – Koordinator i grupit parlamentar ASH-AAA.

Rexhepi madje shton se nuk nevojë për ndryshim të qëndrimit sepse vendimi për bllokim të çdo ligji është marrë në nivel kryetarësh dhe beson se zgjidhja për ligjin për shtetësi do të vijë shumë më shpejt nëse mbajnë këtë qëndrim.

“Nëse tregohet nevoja për ndonjë ndryshim qëndrimi, gjithsesi do të ulet grupi parlamentarë me dy kryetarët bashkërisht, por deri tash ky është qëndrimi dhe unë besoj se ky qëndrim do të mbetet. Nuk ka nevojë ne ta ndryshojmë qëndrimin pasi që do të reterojmë nga parimet, ndërsa parimi ynë është që ligji për shtetësi të nisë procedurë të rregullt parlamentare, të kaloje, t’i zgjidhim hallet e qytetarëve që kanë nevojë e pastaj t’i diskutojmë edhe çështjet tjera”, shtoi Skender Rexhepi.

Deputeti i socialdemokratëve, Dime Velkovski për bllokadën e opozitës shqiptare thotë se veprojnë së bashku me VMRO-DPMNE-në, ndërsa shton se me ose pa votat e opozitës do të gjejnë mënyrë për të votuar ligjet.

 “Sa i përket se si dhe në çfarë mënyre, kemi treguar disa herë në të kaluarën se shumica parlamentare është stabile, numëron 62 deputetë dhe shumë shpejt të gjitha këto ligje, pa marrë parasysh nëse ASH do të votojë ose jo, tek e fundit, që sipas meje duhet të votojmë “për” sepse nuk bëhet fjalë për projekte të LSDM-së por janë për të mirën e qytetarëve”, potencoi Dime Vellkovski – deputet i LSDM-së.

Opozita shqiptare dje në Kuvend ka propozuar mbi 7.000 amendamente ndaj 10 ligjeve që ndodhen në Komisionin për financa dhe buxhet, 2.000 amendamente ka dorëzuar për Ligjin për kundërvajtje dhe theksojnë se do të vazhdojnë me këtë ritëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *