Opozita shqiptare akoma pa reagim për aksionin e Policisë që konfiskoi mbi 10kg ar në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Kërçovë

Edhe pse kanë kaluar mbi 36 orë nga aksioni i policisë së Maqedonisë në artaritë e shqiptarëve në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Kërçovë, ku u konfiskuan mbi 10kilogram ar, ende nuk ka asnjë reagim nga partitë shqiptare. Për tu habitur është fakti që edhe partitë opozitare kan zgjedhur të heshtin ndaj këtij “haraçi” që e bëri Policia ndaj biznesmenëve shqiptarë.

Advertisement

Aleanca për Shqiptarët sot mbajti press-konferencë, e cila nuk pati të bëjë me rastin konkret por me ndërprerjen e shtesave fëmijërore në pollog. Ky është reagimi i fundit i tyre, gjë e cila mund të shihet edhe te faqja e partisë në Facebook.

Në faqen e Lëvizjes Besa, reagimi i fundit është njoftimi për pjesmarrjen e deputetit Fadil Zendeli në një nga televizionet e vendit ndërsa për rastin e konfiskimit të arit nuk kanë bërë asnjë reagim.

Mbetet të shihet ditëve në vijim nëse do të vazhdojnë të ngelin të heshtur, apo do të ketë reagim nga ana e dy partive opozitare shqiptare.

Kujtojmë që në aksionin e djeshëm të Policisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut së bashku me Drejtorinë e të ardhurave Publike dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut në disa artari në Tetovë, Gostivar dhe Shkup është bërë “haraç” i paparë më parë në vendin tonë, duke u konfiskuar mbi 10 kilogram ar nga djersa e biznesmenëve të kësaj veprimtarie. Duhet potencuar që të gjithë artaritë e bastisura ishin të pronarëve shqiptar dhe asnjë artari e ndonjë pronari me përkatësi etnike tjetër nuk u bastis, duke ngjarë me kohën e ish-Jugosllavisë.

Asnjëri nga pronarët e dyqaneve nuk e din se si do të veprohet më tutje me arin e konfiskuar. Ata ende nuk kanë asnjë informacion konkret se çka duhet të bëhet. Ata thonë se edhe para këtij rasti ata nuk kanë pasur informacione se si duhet që ta kenë të paraqitur arin.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm në qytetin e Tetovës janë konfiskuar mbi 7 kilogram ar, konkretisht 7399 gram që e konvetuar në të holla i bie dikund rreth 350,000 euro.

Shumë e madhe kjo, e cila është edhe një goditje e rradhës për këto veprimtari të cilët vitet e fundit janë ballafaquar me disa kriza të mëdha siç ishte ajo e COVID-19 apo krizat tjera ekonomike aktuale dhe siç po duket gjithçka në vendin tonë ka marrur tatëpjetën dhe po shkon në një skaj tjetër.

Artarët janë ndër veprimtarët e rrallë që statusi i tyre nuk është i rregulluar edhe pse gjithmonë kanë qenë të gatshëm për të negociuar që statusi i tyre të jetë i rregulluar sipas të gjitha standardeve. Nga ana e shtetit asnjëherë nuk u është ofruar ndihmë për të thjeshtëzuar procedurën, prandaj dhe nuk kanë ditur se si arin ta paraqesin në organet shtetërore dhe të kalojë nëpër procedurat e nevojshme që gjithçka të jetë konform ligjit.

Sipas artarëve në Tetovë, ende nuk dihet dhe nuk u është treguar asgjë për fatin e arit të konfiskuar, ata nuk e dinë nëse do tu kthehet ose jo.

Nga MPB-ja arsyetohen duke thënë se janë konstatuar vepra që dënohen sipas Kodit Penal si dhe mosrespektime të Ligjit për regjistrim të pagesave me para të gatshme.

Kjo është njoftimi i MPB-së:

“Gjatë kontrollit të tetë argjendarive në Shkup janë gjetur dhe konfiskuar rreth 661 gramë ar pa vulë, në Tetovë gjatë kontrollit të 11 argjendarive janë gjetur dhe konfiskuar 7.399 gramë ar pa vulë, në Gostivar gjatë kontrollit të shtatë argjendarive, janë gjetur 1.690. gramë ar, ndërsa në Kërçovë gjatë kontrollit të tre argjendarive janë gjetur dhe konfiskuar 269 gramë ar pa vulë”, thonë nga MPB.

Nga partitë shqiptare në pushtet por edhe nga opozita nuk ka pasur ende asnjë reagim për goditjen e këtyre bizneseve në qytetet e Maqedonisë Perëndimore ku pronarët që pësuan janë të gjithë shqiptarë.

Parashtrohet pyetja: A ka artari në Maqedoninë Lindore ku popullsia është kryesisht maqedonase?

Advertisement

Leave a Reply