Ora policore vazhdohet për dy javë të tjera, ekspertët kritikojnë autoritetet për qasje joserioze

Qeveria vendosi që edhe dy javët e ardhshme të ketë kufizim të lëvizjes nga ora 22.00 i mbrëmjes deri në 5.00 të mëngjesit. Masa të tjera shtesë për momentin nuk ka, pavarësisht rritjes së rasteve pozitive si dhe numrit të viktimave. Zv/ministri i Shëndetësisë thotë për ALSAT se aktualisht situata është e menaxhueshme ndërkaq nuk e përjashton mundësinë për vendosjen e masave plotësuese, në rast se situata përkeqësohet.

Kjo nuk do të thotë se nuk do ta rishqyrtojmë këtë vendim edhe ditëve të ardhshme, do t’i bëjmë analizat më të detajuara edhe njëherë. Shtabi i krizës pranë Qeverisë do të thirret nëse numrat dalin jashtë kontrollit. Masat të cilat janë marrë, d.m.th. ora policore prej 22-05 në bazë të analizave statistikore epidemiologjike thuhet se kemi një stabilitet në numra. Çështja e dytë është se kapacitet spitalore çdo ditë ne mundohemi t’i zgjerojmë -tha Ilir Hasani, Zv/ministër i Shëndetësisë.

Mikrobiologu Nikolla Panovski konsideron se masat duhet të vendosen derisa situata është nën kontroll, duke kritikuar autoritetet se kanë qasje jo serioze ndaj situatës.

Në aspektin shëndetësor duhen masa më të rrepta. Kjo është jo serioze, kur thuhet se gjithçka është nën kontroll. Mundet që gjatë vikendit e shtunë – e diel të mbyllet gjithçka por jo njerëzit. Njerëzit le të lëvizin, por objektet, Qendrat tregtare, kafenetë le të mbyllen. Nëse Spitalet mbushen dhe më pas sillen masat mendoj se atëherë njerëzit do shtrihen nëpër korridore, nuk do ketë vend – deklaroi Nikolla Panovski, mikrobiolog.

Ora policore do të jetë në fuqi deri më 6 prill.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *