Osmani me fjalim para deputetëve të Shqipërisë: Ne ju jemi mirënjohës përjetë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani sot iu ka adresuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa tha se qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës përjetë shtetit shqiptar.

Advertisement

Osmani para të zgjedhurve të popullit në Shqipëri tha se është nder i madh të mbajë fjalim në Kuvendin e Shqipërisë dhe të flas ashtu siç njeriu i flet familjes së vet, me të cilën ka ndarë aq shumë histori, dhimbje e mall.

“Është nder i madh t’ju drejtohem dhe t’ju flas ashtu siç i flet njeriu familjes së vet, me të cilën ka ndarë aq shumë histori, këmbëngulje, dhimbje e mall të pasosur por së cilës i ka dhuruar e ka marrë aq shumë dashuri. Shqipëria  është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve dhe bashkëmotrave tona, por është ëndrra jonë e përbashkët, është kujtesa jonë historike, vatra të cilën ëndërronim të jetonim por që fatkeqësisht shumë prej nesh e takoi vetëm në acarin e luftës së ftohtë, e megjithatë ajo u bo vatra jonë, shtëpia e zemër-bujarëve shqiptar që na mbajtën gjallë dhe shpresën për liri”, tha ajo.

“Ne ju jemi mirënjohës përjetë”, iu drejtua Osmani deputetëve të Shqipërisë.

“Lidhjet shpirtërore për shkak të rrënjëve etnike po thellohen dhe komunikimi po na ofron më shumë me njëri tjetrin. Ecin krahas njëra-tjetrën dhe janë bërë faktor stabiliteti në rajon…”, tha ajo më tej.

“Duhet ta kujtojmë të kaluarën tonë të përbashkët, mundin dhe sakrificën e brezave të tërë për të ardhur në këtë ditë. Këtu na solli sakrifica e një populli të tërë, përkushtimi për lirinë dhe gjaku i derdhur i mbi 13 mijë të vrarëve, shumica nga këta gra pleq e fëmijë…”, tha ajo

“Do të flas me këtë zë dhe do të kërkoj fort që historia e dhimbshme e Kosovës, sikur është e gjithë historia jonë kombëtare të mbahet në mend e të rikujtohet, sepse duke rikujtuar atë ne njohim vlerën dhe bëhemi më të urtë dhe të drejtë në vendimet tona”.

“Pavarësia e Kosovës vërtetë e ka vulosur jo vetëm fatin tonë por edhe të Ballkanit…. E kuptojmë çfarë do të thotë të rritesh në një regjim shtypës e të dhunshëm, që rrënjët etnike janë përdorur për të qenë të shtypur dhe të vrarë”, tha më tej ushtruesja e detyrës së presidentes, raporton Telegrafi.

“Historinë ne e kemi në krah. Këtë rrugëtim ne e bëmë bashkë me miqtë tanë të shumtë që do t’i  jemi përjetësisht mirënjohës. Qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit tonë”.

Duke folur për Shqipërinë dhe Kosovën, ajo ju bëri thirrje të rinjve të këmbëngulin në të vlerat e tyre sepse një ditë do të jenë aty ku duan dhe ku e meritojnë.

“Si të përzgjedhur të popullit, duhet të kujdesimi që vullneti i qytetar[ve të realizohet. Që Shqipëria këtu, dhe Kosova ku udhëheqim ne të jetë vend i qytetarëve të saj dhe dallimet në pikëpamje të jenë shtysë për kohezion nacional”, tha ajo.

“Të jemi të përgjegjshëm ndaj mendimeve dhe dëshirave të qytetarëve tanë”.

Osmani foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, njofton Telegrafi, duke thënë se ende procesi është i pambyllur.

“Ne jemi të vendosur të dialogojmë vetëm për njohje të ndërsjellë, duke respektuar integritetin dhe sovranitetin e shtetit, duke njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit tonë, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizmit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territorin e saj dhe as të bëjë më koncesione tjera për politikën gjenocidale që kishte ndaj nesh”.

Ajo më tej u shpreh se Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje dhe të dënohet e jo të shpërblehet.

“Kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë këtu dhe në çdo vend të botës”.

Osmani më tej u shpreh se Kosovës nuk mund t’i kërkoj askush më që të jep më shumë, sepse ka dhënë më të shtrenjtët e saj.

Ndër të tjera Osmani tha se Serbia nuk ka ndryshuar dhe Kosova dhe Shqipëria duhet t’i kundërshtojnë gjuhën antishqiptare dhe përpjekjet për t’i fshehur krimet”. /Telegrafi/

Advertisement

Leave a Reply