“Pa u parë efektet e orës policore, nuk do të ketë masa të reja kufizuese”

Thirrja e Odës së Mjekëve për masa shtesë kufizuese për shkak të COVID-19 nuk mori dritë jeshile nga autoritetet. Pavarësisht rritjes së numrit të prekurve nga virusi Korona, ministri i Shëndetësisë thotë se në bazë të konsultimeve të përditshme, masa të reja për momentin nuk janë të nevojshme.

Mendojmë se nuk ka nevojë për masa të reja restriktive”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Nga Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse thonë për ALSAT se presin të mbarojë afati prej dy javësh i vendosjes së orës policore, e më pas të analizohet nëse ka nevojë për masa të reja.

Mendoj se njëherë duhet të bëjmë vlerësim mbi efektin e orës policore, arsyet e rritjes së rasteve, rastet pozitive të moshave të reja 30-59 vjeç si dhe vdekshmëria. Do të analizohen të gjithë faktorët që çojnë në rritje dhe në bazë të kësaj do të ketë vendim definitiv”-pohoi Shaban Memeti, Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik – Komisioni për Sëmundje Ngjitëse.

Nga Aleanca për Shqiptarët kritikuan përbërjen e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, i cili sipas opozitës është gjysmak dhe si pasojë, vendimet nuk janë të duhurat.

Propozojmë plotësimin e Komisionit për sëmundje ngjitëse me profesionistë të fushave adekuate si infektolog, mikrobiolog dhe imunolog”-theksoi Bekim Tateshi, Aleanca për Shqiptarët.

Nga një marsi numri i personave të prekur me COVID 19 është rritur për 4500 raste. Për momentin numri më i madh i të prekurve janë me llojin britanik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *