Përplasjet brenda BDI-së, Grubi: Të flasim në parti dhe jo në publik

BDI-ja nuk i konsideron si jolegjitime organet e brendshme të cilat nuk janë rizgjedhur pas kongresit të fundit të partisë një vit më parë, ashtu siç e parashikon statuti. Arsye për vonesat, sipas tyre, është pandemia.

“Gjithçka shkon në rregull por sikurse çdo parti tjetër politike, që ka pasur pengesa në organizim dhe në veprim për shkak të pandemisë, edhe BDI-ja ka vështirësitë e veta në këtë drejtim por asnjëherë nuk kanë munguar, nuk mungojnë dhe nuk do të mungojnë takimet, qoftë në trupa formal, qoftë në trupa joformal – tha Arbër Ademi, BDI.

Nënkryetari i partisë Izet Mexhiti, kishte deklaruar se organet e partisë janë vendi ku duhet të diskutohen pakënaqësitë që ai dhe funksionarë të tjerë të partisë kanë mbi ekzekutivin dhe organizimin e brendshëm partiak.

Pas kongresit, legjitim është vetëm kryetari i partisë Ali Ahmeti dhe Këshilli i përgjithshëm. Kryesia që u mbajtë është jolegjitime por u mbajë si organ ku të hapim debatin dhe të shohim ku qëndron problem. Mendoj se një prej zgjidhjeve është të thirrim këshillin e përgjithshëm pas llogaridhënies së ekzekutivit dhe të hymë në votime, aty do të shohim. Nëse shumica mendojnë se ky ekzekutiv është në rrugë të mbarë, unë do të pajtohem me shumicën – u shpreh Izet Mexhiti, BDI.

Mexhiti kishte bërë edhe akuza të tjera për bashkëpartiakun e tij Artan Grubin. Ai kishte thënë se Grubi është kryetar “de fakto” i BDI-së dhe ka marrë përsipër më shumë funksione se sa mund të kryej. Grubi thotë se këto janë debate të brendshme partiake.

Demokracia e mirfilltë dhe shprehja e fjalës së lirë është një vlerë e shtuar në kuadër të BDI-së por kur shprehet në kuadër të organeve partiake dhe jo të shndërrimit të saj në një telenovelë publike. Unë gjithsesi se përkrah kritikën, përkrah sugjerimet për një punë më të madhe, punë më të mirë. Por, ftoj që bashkërisht të ulemi dhe të diskutojmë se si mund të bëjmë punë më të mira – tha Artan Grubi, BDI.

Pakënaqësitë, Mexhiti për herë të parë i shprehu gjatë përzgjedhjes së kuadrit të BDI-së në kabinetin aktual qeveritar.

Fatlume Dervishi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *