Pesë shtete të BE-së ankohen se shpërndarja e vaksinave nuk po bëhet në mënyrë të barabartë

Austria, Republika Çeke, Sllovenia, Bullgaria dhe Letonia kanë bërë thirrje për bisedime midis udhëheqësve të Bashkimit Evropian në lidhje me “pabarazitë e mëdha” në shpërndarjen e vaksinave.

Kancelari austriak Sebastian Kurz ka thënë se disa anëtarë të Bashkimit Evropian mund të kenë nënshkruar “kontrata sekrete” me kompanitë e vaksinave për të marrë më shumë doza sesa kishin të drejtë në bazë të marrëveshjeve të BE-së, shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Një zëdhënës i BE-së ka thënë se varet nga shtetet anëtare të “kërkojnë më pak ose më shumë nga një vaksinë e caktuar”, ndërsa një tjetër zyrtar i BE-së ka thënë sot se “koordinimi në luftën kundër pandemisë” do të ishte pika e parë e diskutimeve gjatë samitit të ardhshëm të bllokut.

Samiti është planifikuar për në fund të marsit dhe ka të ngjarë të mbahet në mënyrë private.

Kurz dhe katër homologët e tij i dërguan një letër Ursula von der Leyen, presidentes së Komisionit Evropian dhe Charles Michel, president i Këshillit Evropian, duke pretenduar se “shpërndarjet e dozave të vaksinave nga kompanitë farmaceutike në vendet anëtare të BE-së nuk po kryhet në bazë të barabartë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *