Prishtina në ditët e para dhe të fundit të Luftës së Parë Botërore

Largimi i serbëve dhe hyrja e gjermanëve, austriakëve dhe e bullgarëve në Prishtinë 

“Prishtina ra të martën më 10 tetor 1915, në ora dy e dhjetë minuta pasdite. Ushtari i fundit serb u largua nga Prishtinë në mesditë. Nuk dihej se kur do të hynin gjermanët. Pritej hyrja e bullgarëve dhe kjo e rriste frikën. Aq më tepër që shqiptarët dhe turqit në Prishtinë, tani flisnin se do t’u hakmerren serbëve për ngjarjet e vitit 1912. Gjermanët arritën në Prishtinë, nga ana veriore nëpërmjet rrugës së Kurshumlisë. Thuajse në të njëjtën kohë edhe austriakët ia mbërrin nga ana e Mitrovicës. Bullgarët u ngutën ta marrin selinë e divizionit, por gjermanët nuk i lejuan dhe ua ndanë atyre një pjesë të ndërtesës së Komunës. Të gjithë mes vete i vendosën rojet dhe kështu Prishtina u bë një qytet treshtetëror”.

Dëshmi si kjo – për arritjen e ushtrive të huaja në Prishtinën e vjeshtës së vitit 1915 – la mësuesi serb Janiçije Popoviq, i cili nga koha e parafillimit të Luftës Ballkanike, ishte ngarkuar nga qarqet e lëvizjes çetnike serbe në organizimin e mbledhjes së informacioneve dhe në shtrembërimin e realitetit të atëhershëm kosovar, me qëllim të okupimit të mëvonshëm të Kosovës, shkruan Koha, transmeton KultPlus.

“Më 10 nëntor, pas mesdite, Regjimenti i dytë i kalorisë bullgare hyri në Prishtinë”, shkruan Hristo Mutafov një oficer bullgar. Ai më tej e përshkruan atmosferën prishtinase të parahyrjes së forcave bullgare. 

“Për rënien e plotë të Prishtinës mësuam nga refugjatët jashtë qytetit. Rruga e tmerrshme nga mali me dëborë e ngadalëson marshimin tonë. Në mbrëmjen e 10 nëntorit, divizioni ynë mbërrin në fshatin shqiptar Keqekollë.” 

Me të arritur në këtë fshat, komanda e njësisë bullgare vendosi kontakte me imamin e fshatit. “Rrëzë kodrës së lartë, është shtëpia e madhe dykatëshe e hoxhës së fshatit. Ky fshat i tipit të shpërndarë, është si të gjitha fshatrat e tjerë në këto vise që janë të vendosur në majat e larta, të banuara nga shqiptarët – malësorë të shëndetshëm, të mëdhenj dhe të bukur! Hoxha flet pak serbisht – policia serbe ia ka mësuar atij gjuhën e tyre! Selia e divizionit brenda natës vendoset në shtëpinë e hoxhës. / KultPlus.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *