“Pse Zaevi ka frikë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”

Muhamer Pajaziti

“Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev para se të vinte në pushtet fliste për një bashkim-vëllazërim me shqiptarët. Kur e mori pushtetin, e shqelmoi këtë ide, duke vazhduar që të jetë dorështrënguar me të drejtat politike dhe socio-ekonomike të shqiptarëve në Maqedoni.

Pasi e dogji këtë ide, ai tani flet për një bashkim-vëllazërim mes të gjithë popujve të rajonit. Synon ta realizoj projektin e minishengenim me Vuçiqin, i cili akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë.

Por pse i ngutet Zaevit dhe pse e pengon bashkimi i shqiptarëve, qoftë edhe në fushën apo dimensionin ekonomik?

Me siguri është i vetëdijshëm se një bashkim ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë do të reflektojë në avansimin e statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni dhe gjërë.

Ai e din se bashkëpunimi ekonomik si domosdoshmëri e kohës do të rriste peshën e shqiptarëve në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ndër-fqinjësore.

Ndërsa, përskaj kësaj do të përfitonin bizneset por edhe qytetarët.

Krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike, apo i një tregu të përbashkët me heqjen e të gjitha barrierave fizike, teknike dhe fiskale do të mundësonte që mallrat, shërbimet, kapitali si dhe personat të mund të lëvizin lirishtë sikur brenda një shteti të vetëm.

Pra heqja e barrierave do të zgjeronte mundësitë, eksperiencat dhe horizontet e njerëzve, ndërsa gjithashtu do të mundësonte që të mos bllokohen më mallrat për shkak të rregullave dokumentacioneve dhe procedurave të panevojshme dhe nga tatimet për mallrat e importuara.

Tregu i përbashkët do të ishte një mundësi e mirë për konsumatorin shqiptar në të dyja anët e kufirit, për të zgjedhur mallra me kualitet më të lart në një treg më të madh prej 6 apo 7 milionë banorëve, ndërsa kompanitë që do të plasonin mallin e tyre në të dy shtetet, duke rritur kështu veprimtarinë, numrin e të punësuarve si dhe të ardhurat.

Nga ana tjetër me përafrimin e legjislacioneve, gjithnjë duke respektuar standardet e Bashkimit Evropian, një numër i madh i mjekëve, juristëve, ekonomistëve, etj, do të mund të ushtronin profesionet e tyre në cilin do qytet të Shqipërisë apo Kosovës.
Gjithashtu edhe studentet do të mund të lëviznin më lirë për të studiuar, atje ku mendojnë se është më mirë, pasi që do të zgjerohej horizonti i tregut të punës dhe konkurrenca. Ky bashkëpunim do të zgjerohej edhe në shumë sfera tjera, duke pasur si synim mediat, që tashmë po lëvizin në këtë drejtim, sidomos ato nga Tirana.

Dhe krejt kjo mund të realizohet pas asnjë një pengesë, për faktin se qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë i përkasin një kombi dhe një historie të dhimbshme, duke ndarë fatin e njëri tjetrit në një luftë mbijetese kombëtare, nën ataqet e fqinjëve dhe qarqeve ekspansioniste dhe gjenocidale.

Pastaj këtij bashkimi ekonomik apo Minishengeni mund ti bashkohen Vuçiqi edhe Zaevi, por ja pa kërkuar falje për krimet e bëra ndaj shqiptarëve për dekada me radhë.” (INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *