Quni flet për raportet që ka me Hazirin dhe Abdixhikun, thotë se në LDK ka frustrime e hatërmbetje

Kandidati për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni ka folur për arsyet që e kanë shtyrë që të kandidojë për kryetar të kësaj partie. Ai tha se ka dashur që në opinion të krijojë një bindje që zgjedhjet në LDK janë demokratike dhe të hapura për të gjithë

Ai ka folur edhe për planet e tij në rast se zgjidhet në krye të LDK-së.

“Unë do të mundohem që të bëj një pajtim të madh. Ka hatërmbetje, ka frustrime… unë mendoj që kemi nevojë për çdo njërin. Nuk e kemi atë komoditet që ta humbim qoftë edhe një anëtarë”, ka thënë ai.

Quni foli edhe kundërkandidatët e tij për kryetar të LDK-së. Ai tha se edhe me Abdixhikun por edhe me Hazirin kanë raportet të shkëlqyera.

“Edhe me Lutfin edhe me Lumirin jemi në raporte të shkëlqyera. E kemi uruar dje njëri-tjetrin. Unë e kam shpallur kandidaturën më herët në Kryesinë e ngushtë, e ndërsa Lumiri dhe Haziri e kanë shpallur dje më mbledhjen e përgjithshme të kryesisë”, ka pohuar Quni.

Kandidati për kryetar të LDK-së, foli edhe për preferencat e kryetarit në dorëheqje të partisë, Isa Mustafa.

“Unë jam shumë i sinqertë që nuk kam vërejtur se nga kryetari parapëlqehet ndonjë kandidat ose se ka ndonjë skenar të përgatitur se kush do të jetë lideri i ardhshëm i LDK’së. Në bisedat tona lakohen disa emra, por nuk është tek unë që ta bëj publike”, ka thënë më tutje Quni.  /Insajderi.org

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *