Rrahman Jasharaj ka tri kërkesa për Kurtin: Nëse s’plotësohen, pasojnë grevat

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka folur për kërkesat e sindikatës që ai udhëheq drejt qeverisë së ri që pritet të formohet së shpejti nga kreu i LVV-së, Albin Kurti.

Ai ka uruar që Kurti të emërojë në krye të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë një ministër që është për bashkëpunim dhe dialog.

“Me qeverinë në ardhje urojmë që fillimisht të vie një ministër që e don bashkëpunimin dhe dialogun. Së pari do të bëjmë kërkesë që shteti i Kosovës ta ketë prioritet arsimin dhe e dyta do të kërkojmë përmirësimin e kushteve nëpër shkolla, pasi që shkollat tona duken bukur nga jashtë por përbrenda janë të zbrazëta pasi që mungojnë teknologjia, mjetet, kushtet bashkëkohore. Tjetër, do të angazhohemi me Qeverinë e re që të hiqen ato defekte që i ka thënë Kushtetuesja për Ligjin për Paga dhe ky ligj të implementohet, pasi që me implementimin e tij më nuk do të ketë as greva lidhur me paga pasi që do t’i rregullonte ligji”, ka thënë Jasharaj në një prononcim për Periskopin.

Kërkesa e tretë e SBASHK-ut drejt qeverisë së re, ka të bëjë me Ligjin për Sigurime Shëndetësore, i cili sipas Jasharajt është mjaft i rëndësishëm.

“Do të angazhohemi edhe me sindikatat e tjera për Ligjin mbi Sigurimet Shëndetësore, pasi që ky ligj është miratuar nga parlamenti por asnjëherë nuk është implementuar dhe ne shohim që mësimdhënësit edhe kur sëmuren duhet të kujdesen personalisht për shëndetin e tyre, andaj edhe si i gjithë populli kanë shpenzime”, ka thënë Jasharaj.

Në fund, Jasharaj ka thënë se nëse SBASHK-u nuk gjen mirëkuptim me qeverinë e re përmes dialogut, atëherë nuk ka mohuar veprime eventuale sindikale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *