Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 22 mars

Seanca konstituive e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 22 mars. Caktimi i datës erdhi pas takimeve që ushtruesja e detyrës presidente Vjosa Osmani dhe lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti kishin me përfaqësuesit e PDK-së dhe AAK-së për t’u konsultuar për krijimin e Institucioneve të reja.

Kryetari në detyrë i PDK-së Enver Hoxhaj ka thënë se sjellja e tyre, karshi konstituimit të institucioneve, varet nga qëndrimet që ia kanë paraqitur Kurtit e që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë, demarkacionin me Malin e Zi dhe marrëveshjen e Uashingtonit.

 “….natyrisht se është kërkuar prania jonë dhe pjesëmarrja jonë në seancë edhe kur zgjidhet Kuvendi, qeveria dhe presidenti. Por ju e dini që ne nuk jemi parti që pjesëmarrjen e ka profesion. Ne jemi opozitë dhe ne vetëm kur shohim qartësi të plotë me këto tema do të marrim qëndrim’ deklaroi Enver Hoxhaj, Kryetar në detyrë i PDK-së.

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka hequr dorë nga ambicia për të parin e shtetit. Pas takimit me Kurtin e Osmanin, ai tha se është në përgjegjësinë e fituesve të zgjedhjeve për të gjetur formulën e presidentit.

 “Populli ia ka dhënë votën, shumicën për krijimin e qeverisë, nuk ia ka dhënë dy të tretat edhe për presidentin. Është përgjegjësi e tyre si e bëjnë dy të tretat e votës, sepse kuorumi është votë. Si AAK do të marrim vendimet në organet e partisë si do të veprojmë në çdo rast’ pohoi Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së.

Kryetari i ri i LDK-së Lumir Abdixhiku tha se është duke pritur konfirmimin nga Kurti e Osmani për një takim ditën e premte.

“Do të jemi konstituiv në frymën themeltare të LDK-së, përfshirë edhe të presidentit Rugova dhe secilit veprimtarë të LDK-së që kontriubon në mirëmbajtjen e institucioneve të Kosovës dhe jo në rrënimin dhe dëmtimin e tyre. Ne do t’i dërgojmë edhe zyrtarisht një letër të shkruar siç e kemi marrë letrën sot. Propozimi jonë është për ditën e premte këtë javë’ tha Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvend. PDK-ja do t’i ketë 19 deputetë, LDK-ja 15, ndërsa AAK-ja tetë.

Pas konstituimit të Kuvendit, i hapet rruga formimit të Qeverisë së re, të cilën pritet ta udhëheqë lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti i cili ka thënë se Qeverinë do ta krijojë me partitë e komuniteteve joserbe.

Shkëlzen Aqifi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *