S’ka datë të saktë për mbërritjen e vaksinave në Maqedoni të Veriut

Nga Ministria e Shëndetësisë, nuk kanë një datë të konkrete se kur Maqedonia e Veriut do të marrë dërgesë të re të vaksinave. Më herët ministri Venko Filipçe njoftoi se deri në fund të këtij muaji do të mbërrijnë, 20,000 vaksina nga “Pfizer” dhe 25,000 të tjera nga “Astra Zeneka” përmes mekanizmit Covax. Me vaksinat që kemi në dispozicion, përkatësisht 3000 doza të “Sputnik” -it rus dhe donacionin nga Serbia të rreth 8,000 dozave “Pfizer”, imunizimi kryhet vetëm për personelit mjekësor.

“Procesi i shpërndarjes së vaksinave përmes mekanizmit Covax ka filluar. Publiku do të informohet në kohë të duhur, për datën e saktë të mbërritjes në vendin tonë. Për shkak të rritjes së numrit të pacientëve të shtruar në spital dhe nevojës për të shtuar stafin në pavijonet infektive, imunizimi i punonjësve shëndetësorë, që punojnë me pacientët me Kovid aktualisht është duke vazhduar dhe do të vazhdojë”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Megjithëse vende si Danimarka, Norvegjia, Italia dhe Islanda kanë ndaluar vaksinimin me Astra Zeneka, si masë parandaluese, për shkak të dyshimeve për mpiksje të gjakut, Organizata Botërore e Shëndetësisë është e mendimit se nuk ka asnjë arsye për të pezulluar këtë vaksinë. Nga Agjencia Evropiane e Barnave gjithashtu thanë se Astra Zeneka nuk kishte asnjë lidhje me mpiksjen e gjakut. Autoritetet tona shëndetësore thonë se po ndjekin nga afër rekomandimet.

“Disa vende kanë vazhduar vaksinimin me Astra Zeneka, të tilla si Gjermania dhe Franca, ndërsa Spanja nuk ka ndalur aspak. Disa vende kanë ndaluar përkohësisht vaksinimin. Vendi ynë do të ndjekë udhëzimet dhe rekomandimet e Agjencisë Evropiane të Mjekësisë, dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhe do të veprojë në përputhje me rekomandimet e reja”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë, kërkohet takim urgjent midis vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për shpërndarjen e vaksinave. Në një letër të përbashkët, Austria, Bullgaria, Letonia, Sllovenia dhe Republika Çeke i kërkojnë Brukselit, që të ketë një shpërndarje më të drejtë të vaksinave edhe në BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *