Teatri i Tetovës, 10 vite i premtuar ndërsa 7 vite në ndërtim

Rreth 150 mijë euro janë ndarë për vazhdimin e fazës së dytë të teatrit dhe bibliotekës së re në Tetovë, njoftuan nga Ministria e Kulturës. Drejtori i Qendrës për Kulturë në Tetovë nuk dëshiron të deklarohet derisa Qeveria e RMV-së të vendose për dinamikën e punës. Rikujtojmë se zëvendës ministri i kulturës për Portalb.mk premtoi përfundimin e këtij projekti në fund të vitit 2023.

Advertisement

Projekti i cili ishte dërguar Qeverisë së RMV-së në dhjetor të vitit të kaluar, më në fund është miratuar dhe janë ndarë gjithsej 90 milion denarë për këtë, gjegjësisht për vazhdimin e punimeve për ndërtimin e këtij teatri në Tetovë.

“Ju informojmë se projekti për ndërtimin e teatrit dhe bibliotekës së re në Tetovës bën pjesë në projektet kapitale të ministrisë së Kulturës. Janë miratuar 90 milion denarë për vitin 2021” thanë nga Ministria e Kulturës.

Që të informohemi për atë se ku do të harxhohen këto para, kontaktuam drejtorin e Qendrës për Kulturë, Artan Arsllani, megjithatë ai nuk deshi të deklarohet para se të marrë vendimin final nga Qeveria e RMV-së për dinamikën e punëve.

Portalb.mk mëson se këto mjete nuk janë të mjaftueshme për përfundimin e fazës së dytë, kësisoj, koha e përfundimit të këtij projekti mund të zvarritet përsëri siç është bërë në të kaluarën vazhdimisht.

Zv.ministri i Kulturës për Portalb: Parashihet që teatri i ri në Tetovë të përfundojë në fund të 2023

Zëvendësministri i Kulturës Sedat Sulejmani, në një intervistë ekskluzive për Portalb.mk 1 muaj më herët, në lidhje me rrjedhën e punëve për ndërtimin e teatrit të ri në Tetovë tha se gjasat janë të mëdha që ky objekt të jetë gati në fund të vitit 2023. Ai nuk deshi të flasë për përgjegjësitë eventuale të personave që kanë zvarritur procesin deri tani.

Me situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit në vend, por edhe në botë dhe efektet e saja në ekonomi nuk mundemi të japim afate të sakta kohore se kur mund të përfundojë ndërtimi, pasi dinamikën e ndërtimit e cakton qeveria sipas buxhetit që do e përcaktojë. Por,  ashtu siç parashihet pritet që në fund të vitit 2023 të jetë gati” deklaroi zëvendësministri Sulejmani, me datë 18 nëntor të vitit 2020.

Premtohet nga viti 2010!

Në pyetjen e Portalb.mk për arsyet e zvarritjes të procedurës për ndërtimin e këtij teatri, zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, nuk deshi të përgjigjet, duke shtuar se pyetja duhet të drejtohet diku tjetër.

“Nuk mund të flasë për të kaluarën se pse janë zvarritur punimet. Mendoj se kjo pyetje duhet t’i parashtrohet dikujt nga e kaluara” tha Sulejmani.

Ndërtimi i Qendrës për Kulturë në Tetovë ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë.

Kostoja e fazës së parë për ndërtimin e objektit ishte projektuar në 13.5 milion euro ndërsa me fillimin e fazës së dytë dhe shpalljen e tenderit për rregullimin e brendshëm çmimi do të arrijë në 40 milion euro.

Projekti për ndërtimin e kësaj qendre të kulturës multi-funksionale është një prej projekteve kapitale të qeverisë së kaluar, i paraparë për t’u realizuar disa vite më parë. Me ndërtimin e kësaj qendre do të zgjidhet problemi hapësinor për më shumë institucione, si teatri, biblioteka, qendra e kulturës e të tjera, të cilat funksionojnë në një vend prej disa vitesh. Në pritje të realizimit të këtij projekti, aktiviteti kulturor dhe artistik zhvillohet në ambiente provizore dhe në kushte jashtë standardeve, ndërkaq Biblioteka që mban emrin “Koço Racin” mbetet e tepër e vogël, me pak libra dhe me kushte të këqia.

Projekti për ndërtimin e kësaj qendre të kulturës multi-funksionale është një prej projekteve kapitale të Qeverisë, i paraparë për t’u realizuar disa vite më parë. Me ndërtimin e kësaj qendre do të zgjidhet problemi hapësinor për më shumë institucione, si teatri, biblioteka, qendra e kulturës e të tjera, të cilat funksionojnë në një vend prej disa vitesh. Për herë të fundit është premtuar në Platformën zgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim, zgjedhjet 2014 duke dhënë si afat të fundit për realizim vitin 2016. Deri më tani (16.01.2017) ky premtim është i parealizuar. 

Më 20.12.2013 është marrë leja për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, ndërsa gurthemeli për fillimin e punimeve u vendos më 28.11.2014. Në këtë ditë, i pranishëm ishte dhe zv/kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferi si dhe funksionarë të tjerë të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Do fillojë ndërtimi i Teatrit dhe Bibliotekës, një vepër kapitale dhe meritore për Tetovën. Qeveria do vazhdojë me këmbëngulje të përmbushë premtimet që ka dhënë partia jonë në zgjedhje me të gjitha vështirësitë. (burimi: Yllpress.com,  28.11.2014)

Projekti i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës kap vlerën e 13 milion eurove dhe pritet të përfundojë në vitin 2015 (sipas Platformës Zgjedhore të BDI-së, zgjedhjet 2014).

Punimet e filluara (më 28.11.2014) nuk po zhvilloheshin sipas dinamikës së duhur. Drejtori i Qendrës së Kulturës, Haki Fazliu kishte njoftuar se punimet kanë ngecur si pasojë e neglizhencës nga ana e kompanisë së energjisë elektrike EVN, e cila duhet të dislokojë nënstacionin elektrik të tensionit të mesëm, që gjendet pikërisht në vendin ku duhet të nisin punimet.

“Është një objekt i vjetër, por edhe me shumë kabllo që shtrihen nën tokë dhe askush nuk mund ta bëjë përveç EVN-së. I kemi kërkuar që ta bëjë zhvendosjen, madje edhe me një letër urgjente, por s’na ka ardhur asnjë reagim. I kemi kërkuar edhe operatorit teknik që kemi angazhuar për punimet ta bëjë këtë punë në vend të EVN-së, por pasi është në pyetje një pikë nevralgjike e furnizimit me rrymë të qytetit, ngurrojnë të intervenojnë”. (burimi: Portalb, 20.01.2015)

“Përveç problemeve të ndërtimit, pengesë tjetër kanë paraqitur edhe pronarët e barakave përreth, të cilët u ankuan me pretekstin se procesi i punës për ndërtimin e objektit i dëmton ato materialisht. Kjo çështje tanimë është në fazën e dytë të procedurës gjyqësore dhe do të vendos ligji se çka do bëhet me ta. Në ndërkohë, kanë ri-filluar punimet“. (burimi: Portalb, 07.10.2015)

Ndërkaq, më 28.11.2015 edhe një vit pas fillimit të punimeve, problemet e lartpërmendura nuk arritën të zgjidhen. Udhëheqësi i projektit të ndërtimit të bibliotekës dhe teatrit të Tetovës, Haki Fazliu kishte deklaruar se objekti do të ketë dy kate më pak, si pasojë e ri-balancit të buxhetit të shtetit.

“Unë nuk shoh se janë shkurtuar mjetet por ka një korrigjim projekti i cili me projekt ishte i planifikuar tre kate nëntokësore për parkingje të qytetit me karakter publik nga këto tre tash për tash janë dy, dhe një pjesë e cila në nën kulm parashihej të jetë pra nuk shoh se janë shkurtuar dhe me mjetet që janë në diskonim besoj që do kompletohet ky projekt”. (burimi: Alsat-M, 28.11.2015)

As edhe në vitin 2016 objekti i Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë nuk arriti të ngritet mbi themele. (burimi: TV Shenja, 28.06.2016)

Platformën zgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim, si afat i fundit për përfundimin e punimeve u dha viti 2016.

Advertisement

Leave a Reply