Tentim për zhbllokimin e punës së Kuvendit, ASH-AAA kërkojnë zgjidhje të pranueshme për shtetësinë

As në koordinimin e zakonshëm të së hënës nuk është arritur një marrëveshje për zhbllokimin e Kuvendit. Grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës ka kërkuar diskutim në kuadër të Kuvendit për ligjin për shtetësi. Deri sa kjo të ndodhë, nuk i tërheqin mijëra amendamentet me të cilat bllokojnë ligjet e tjera.

“Urdhëroni të ulemi në nivel të komisioneve ose në nivel të komisioneve të gjejmë një zgjidhje për ligjin për shtetësi. Në momentin që e kompletojmë atë, ne jemi në gjendje të gjitha amendamentet t’i tërheqim. Ne propozim tjetër të ligjit për shtetësi nuk bëjmë. Ne mundet, nëse ka marrëveshje, ta tërheqim dhe ta kthejmë përsëri në Kuvend, me marrëveshje paraprake bashkërisht” -deklaroi Skender Rexhepi, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Megjithatë, koalicioni opozitar nuk beson se ka vullnet që shumë shpejt partitë e tjera parlamentare të reagojnë ndaj kësaj thirrje. Nga LSDM-ja nuk u përgjigjën në thirrjet e Alsat për këtë çështje. Nuk dhanë sqarim se cili është qëndrimi i tyre dhe nëse janë ose jo të gatshëm të ulen për diskutime. Nga VMRO-DPMNE-ja janë për një zgjidhje por thonë se ajo s’mund të arrihet në kuadër të propozimit aktual.

“Sipas Rregullores, afatet për dorëzimin e amendamenteve për ligjin për shtetësi kanë përfunduar dhe nuk mund të dorëzohen më amendamente për ligjin që është në procedurë. Duhet të ulemi dhe të diskutojmë për zgjidhje të re ligjore. Ne jemi për një zgjidhje ligjore për këtë problem”– tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

Përveç që janë bllokuar procedurat e ligjeve që janë në procedurë të dorëzimin të amendamenteve në komisione, janë bllokuar edhe procedurat e ligjeve për të cilat ka përfunduar debati dhe duhet të vendosen në votim. Shumica vazhdon të mos ketë kuorum për shkak të tre deputetëve që janë me vendim për izolim. Ditë e radhës për votim planifikohet 23 marsi, megjithatë nga kabineti i kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, thonë se votimi do të organizohet kurdo që të krijohen kushtet.

Fatlume Dervishi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *