Vjosa Presidente ose zgjedhje të reja

SHKRUAN FATON MEHMETI

Sot edhe zyrtarisht u bë certifikimi i rezultati të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kështu, Lëvizja Vetëvendosja është partia e parë me 49.9 % të votave të fituara… E dyta renditet PDK me 16.9 %. LDK me 12.64 % renditet partia e tretë. AAK fitoi 7.07%. Lista Srpska ka fituar 10 vendet e rezervuara në parlamentin e Kosovës, ndërsa 10 vende u takojnë pakicave jo serbe.

Përkthyer në mandate, Lëvizja Vetëvendosja ka siguruar 58 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës 19 deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë. Lista Srpska ka siguruar 10 vendet e rezervuara për ta, ndërsa 10 deputetë janë siguruar nga radhët e pakicave jo serbe.

Nëse nuk ka ankesa brenda 24 orëve dhe nuk pritet të ketë, atëherë i hapet rruga konstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh. Tashmë po kuptohet se Vetëvendosje do ta formojë qeverinë, pa pasur nevojë të bëjë koalicion, pasi edhe disa deputetë të pakicave jo serbe, kanë shprehur vullnetin ta mbështesin Kurtin, pa pasur nevojë të koalicionit. Kështu që, nuk pritet të ketë pengesa për t’u zgjedhur Kurti kryeministër, problem do të jetë zgjedhja e presidentit, me Vjosa Osmanin si kandidate nga Vetëvendosje.

Derisa për qeverinë mjafton të jenë në seancë 61 deputetë dhe aq ta votojnë, për postin e presidentit duhet prania e 2/3 e deputetëve të pranishëm, derisa në raundin e parë kërkohet të jenë po kaq vota pro kandidatit për president, derisa në të tretin mjafton të jenë të pranishëm 2/3 në seancë, meqë rast mjafton të jenë 61 deputetë që votojnë pro.

Pra, sfida mbetet kuorumi, prania e 80 deputetëve në seancë, që pa partitë shqiptare opozitare PDK, LDK, AAK nuk mund të bëhet. Këto të tri parti kanë 42 vota se bashku, duhet që së paku dy deputetë “të tradhtojnë” vendimet partiake, në mënyrë që t’i bëjnë kuorumin Vjosës. Një votë pritet të sigurohet nga Pacolli, i cili ka deklaruar disa herë se s’do të jetë pengues i krijimit të institucioneve, edhe pse as kjo votë nuk mund të jetë garanci për të zgjedhur presidenten e vendit.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do t’i futen garës pa bërë koalicion me ndonjë nga partitë shqiptare, as edhe me Listën Srpska, duke e ditur se në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit dhe shkuarjes në zgjedhje, kjo vetëm sa do të ishte në favor të tyre. Ato që do pësonin rënie do të ishin LDK dhe AAK, derisa PDK ka një strukturë anti Kurti dhe Vjosa, që nuk pritet ta dëmtojë partinë më shumë. Derisa anëtarësia e LDK-së, edhe pse e përgjysmuar, s’do t’ia falte kurrë partisë së tyre që ia siguroi Hashimit votat për president, derisa Vjosës as kuorumin nuk ia bën. Edhe pse pritet dhe mund të ketë zhvillime të reja, ndryshime nga LDK në këtë aspekt, me kryetarin ne ardhje. Pikërisht se kush do të jetë kryetar i ri i LDK-së, pritet të ketë ndikim jo të vogël në këtë drejtim, edhe pse Isa deklaroi se nuk ia bëjnë kuorumin Vjosës. Nëse vendi shkon në zgjedhje, për shkak se LDK nuk ia bën kuorumin Vjosës, LDK e pret një rezultat edhe më katastrofik se i 14 shkurtit, me mundësi të mëdha që mos ta kalojë as pragun. Kështu që, kryetari i ri i LDK duhet të këtë parasysh këtë gjë, të mendojë dhe veprojë me mendje të ftohtë, jo me arrogancë, e cila e ka sjellë në këtë mjerim LDK.

Albini dhe Vjosa s’do të bëjnë kompromise, do t’i shkojnë deri në fund betejës, ose Vjosa president ose vendi në zgjedhje, të dyja janë në favor të tyre. Fryma është në favor të tyre dhe kushdo që del pengesë në këtë drejtim e merr furtuna, ai që ka mend në kokë i largohet stuhisë. LDK më mirë t’i bëjë mirë llogaritë, njësoj si edhe AAK që më shumë gjasë nëse shkon prapë vendi në zgjedhje, nuk e kalon pragun.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *