RMV, Qeveria publikoi listë me emrat e shtetasve që luftuan për ISIS-in

Pesëmbëdhjetë shtetas të Maqedonisë së Veriut që ishin pjesë e ISIS-it dhe Shtetit Islamik në territorin e Sirisë dhe Irakut ishin në “listën e zezë” të Qeverisë, e cila është bërë publike. Është një vendim për “futjen e masave financiare kundër terrorizmit, përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe financimin e tyre” i miratuar më 13 shtator, transmeton 360 Gradë.

Shumica e tyre janë rreth 30 vjeç. Më i moshuari është 57 vjeç, ndërsa më i riu 26 vjeç. Dhjetë prej tyre janë nga Shkupi, dy nga Kumanova dhe Gostivari si dhe një nga Struga.

Ata dënohen financiarisht me vendim të Qeverisë për pjesëmarrje në luftën në Siri për “përdorim, transmetim, konvertim, transferim apo tjetër lloj tjetër asgjësimi të pronës, ndalim të vënies në dispozicion të çdo prone, si dhe si ndalim i krijimit apo vazhdimit të marrëdhënieve biznesore.” Vendimi është marrë më 13 shtator me nënshkrimin e zëvendës-kryeministrit Artan Grubi.

Autoritetet kompetente për zbatimin e vendimit janë pjesë e shërbimeve të sigurisë dhe financiare – Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria për Inteligjencë Financiare, Ministria e Mbrojtjes, Ekonomisë, Transportit dhe Lidhjeve, si dhe Banka Popullore.

Kjo është hera e parë që shpallen publikisht emrat e personave që kanë dalë jashtë vendit dhe janë përfshirë në aktivitete terroriste ose kanë qenë pjesë e njësive paraushtarake dhe parapolicore.

Lista është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe gjendet në faqen e internetit të Autoritetit të Inteligjencës Financiare.

Me ndryshimet në Kodin Penal në vitin 2014, u bë e mundur ndjekja penale e personave – shtetas të Maqedonisë së Veriut që largohen për të qenë pjesë e konflikteve ushtarake dhe luftojnë në ushtritë e huaja, për të cilat janë paraparë dënime me burg deri në 5 vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *