Disa shkolla në Tetovë ende me emra serb, Shaqiri i gatshëm për të shqyrtuar iniciativat për ndryshimin e tyre

Shkolla profesionale “Mosha Pijade” do të vazhdojë të mbajë akoma emrin e revolucionarit serb të lindur në vitin 1890 në Beograd. Ministri i Arsimit ka deklaruar se është i gatshëm të shqyrtojë një iniciativë për ndryshimin e këtij emri nëse ka një kërkesë të tillë. Megjithatë, Shaqiri nuk është i informuar për këtë iniciativë.

“Për herë të parë dëgjoj këtë pyetje, s’kam dëgjuar për iniciativën. Nuk jam kundër asnjë iniciative që fillon dhe vjen nga baza. Mendoj se kësi lloj iniciativa që kanë filluar më herët duhet të filloj nga bordi drejtues i shkollës, këshilli i shkollës, iniciativë cila duhet të filloj edhe nga nxënësit, prindërit nga këshilli i prindërve edhe do vlerësojmë maksimalisht, se cilën iniciativë duhet të shohim. Në kohën në të cilën  jetojmë, në institucionet  arsimore, rrugëve në shoqëri që jetojmë të gjithë, nuk duhet të shihet një personalitet i njërës palë apo i palës tjetër. Duhet të gjithë t’i vlerësojmë në mënyrë të barabartë”, tha Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit.

Ndërsa Zëvendësdrejtori i shkollës, Sherif Abduramani, thotë se iniciativa për ndryshimin e emrit të shkollës nuk varet nga ata, por nga këshilli i shkollës.

 “Kjo nuk varet nga ne, varet nga ana e këshillit të shkollës, nga këshilli i prindërve, pra ne jemi të detyruar që t’i përcjellim pasi tash jemi edhe nën ombrellën e Ministrisë së Arsimit”, pohoi Sherif Abduramani – zv drejtor i shkollës.

Ka pasur gjithmonë iniciativa për ndryshimin e emrave të shkollave, por deri tani nuk ka pasur vendime as nga ana e kryetarëve të komunave, as nga ana e ministrave. Në Tetovë ka edhe disa shkolla të tjera që ende mbajnë emrat e ish-sistemit, të cilët as vetë qytetarët nuk i njohin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *