MPJD del me sqarim për aksidentin e autobusit të ‘Deva Tours’ në Kroaci: S’ka të lënduar

Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka dalë me sqarim për aksidentin e autobusit të kompanisë “Deva Tours” në Kroaci.

Sipas MPJD-së, asnjë nga udhëtarët nuk është lënduar, teksa nuk ka informacione më të detajuara.

“Lidhur me aksidentin e autobusit nga Kosova në Kroaci, nga informacionet e deritanishme, të marra nga autoritetet kroate, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin e gjerë se rreth orës 18:00, një autobus me rreth 30 udhëtarë ka pësuar një aksident në vendin e quajtur Orashac, në afërsi të Dubrovnikut”, thuhet në sqarimin e MPJD-së.

“Sipas informacioneve të deritanishme asnjë nga udhëtarët nuk duket të jetë lënduar dhe as të ketë kërkuar ndihmë mjekësore. Informacionet rreth këtij aksidenti do t’i përditësojmë sapo të kemi të dhëna më të detajuara nga organet kompetente kroate”, thuhet tutje.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe kompaninë “Deva Tours” dhe të njëjtit kanë deklaruar se pasagjerët që kanë qenë në autobusin e tyre nuk kanë lëndime trupore.

Sipas tyre, udhëtarët kanë vazhduar drejt destinacionit me një autobus tjetër, ndërsa për shkaktarin e aksidentit kanë thënë se “sqarimi i rrethanave i përket autoriteteve”.

“Sonte rreth ores 18:00 autobusi yne i linjes Kosove-Gjermani ne shtetin e Kroacise,eshte perfshire ne nje aksident ne Split. Pasagjeret dhe stafi qe kane qene ne autobus jane te gjithe pa lendime. Pasagjeret kane vazhduar udhetimin drejt destinacionit te tyre me nje autobus tjeter. Sqarimi i rrethanave te aksidentit i perket autoriteteve perkatese.” – thuhet në përgjigjen e tyre për Sinjalin./GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *