Draghi: Po përballemi me një valë të re COVID-19

Kryeministri italian, Mario Draghi, paralajmëroi sot se Italia po përballet me një valë të re infektimesh COVID-19, më shumë se një vit pas fillimit të pandemisë, duke bërë thirrje për kujdes më të madh.

“Më shumë se një vit pas fillimit të krizës shëndetësore, fatkeqësisht e gjejmë veten duke u përballur me një valë të re infektimi”, tha Draghi gjatë një vizite në qendrën e vaksinimit të ngritur në aeroportin roman të Fiumicino-s.

“Gjatë javës së fundit, janë regjistruar 150 175 infektime të reja kundrejt 130 816 javës së kaluar, një rritje prej gati 15%”, theksoi kryeministri.

“Në dy javët e fundit, rritja e numrit të pacientëve të shtruar në spital me COVID-19 është rritur në pothuajse 5 000, kurse i atyre në kujdes intensiv është rritur me më shumë se 650”, vazhdoi ai.

Italia, e cila këtë javë kaloi pragun e 100 000 vdekjeve nga pandemia, ka regjistruar një rritje të mprehtë të infektimeve dhe vdekjeve, kryesisht për shkak të variantit britanik.

Draghi theksoi se të dhënat bëjnë të detyrueshme të qenët jashtëzakonisht të kujdesshëm, për të kufizuar numrin e vdekjeve dhe për të parandaluar ngopjen e institucioneve shëndetësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *