Besimtarët duhet të votojnë! Fetahu: Zgjedhjet, kënaqësi e demokracisë për të vendosur për të ardhmen

Kjo thirrje “mos voto, ke frikë Allahun”, u pa para disa ditësh në një rrugë të Shkupit, gjersa u përhap gjerësisht në rrjetet sociale.

Kjo erdhi pak ditë para festës së Bajramit dhe në kohë fushate zgjedhore, kur tashmë po zhvillohet gara për President, që i paraprin garës për deputetë në Kuvend.

I pyetur rreth këtij apeli me autor anonim, kreu i BFI-së Shaqir Fetahu, në Daily Click të TV21, tha se mund të jetë sjellje individuale e ndokujt, dhe jo e organizuar. Sipas tij, votimi në zgjedhje është kënaqësi që e sjell demokracia që njeriu të vendosë për atë që e mendon se është e dobishme për shoqërinë.

“Të ikësh nga votimi, do të thotë të jesh neutral. Të ikësh nga vendimi, të ikësh nga qëndrimi, të ikësh nga kontributi për t’u zhvilluar demokracia dhe për të ardhur në pushtet opsioni që mendon se mund të jetë më i mirë për zhvillimin e rrjedhave në përgjithësi. Ditën që janë zgjedhjet, unë dal me gëzimin më të madh…”, tha Shaqir Fetahu, kryetar i BFI-së.

-Ju votoni?

“Unë votoj, me gjithë familjen e marr, pastaj përshëndetem me përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike dhe ajo ditë është dita më e lumtur e imja e vitit, që kam të drejtë të votoj lirshëm, pa ndonjë presion”, pohoi Fetahu.

Fetahu siguroi se të gjitha xhamitë në Maqedoninë e Veriut janë nën ombrellën e BFI-së, ndërsa shtoi se imamët përpiqen që ta shpjegojnë islamin në frymën burimore dhe bashkëkohore, duke thënë kështu kontribut që të shmangen radikalizmi dhe ekstremizmi, të cilat i quajti  fenomene të dëmshme për një vend që po përgatitet për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe për të jetuar me vlerat europiane.

 “Ne kohëve të fundit na erdhi nga Komisioni Europian se në Maqedoni tashmë nuk ka celula ekstreme por mund të ketë ndonjë individ, që është një rezultat shumë i madh për BFI-në”, deklaroi Fetahu.

-Meqë përmendët që të gjitha xhamitë i keni nën ombrellë, por kjo nuk nënkupton që jashtë xhamive nuk ka organizime tjera.

“Ato janë organizata, shoqata humanitare, që janë çështje që i lejon dhe toleron demokracia, por kuptohet se edhe ato i bëjnë detyrat e tyre, janë shërbim të besimtarëve, xhematlinjlëve, por nëse janë teologë, ata janë nën koordinimin e BFI-së”, nënvizoi Fetahu.

Në DailyClick, Fetahu u pyet edhe për çmimin e Haxhit, që këtë vit kushton 6650 euro. Tha se BFI ka vendosur që Haxhi të jetë i standardit të lartë me të gjitha kushtet. Çmimin e arsyetoi edhe me ngritjen e standardit nga ana e vetë Arabisë Saudite. Përfundoi duke thënë se pavarësisht çmimit, kërkesa për Haxh nga Maqedonia e Veriut është e lartë dhe se tashmë janë prenotuar vendet edhe për vitin 2026.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *