Varianti Delta i Covid, 40% më transmetueshëm në Britani

Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock ka thënë sot se këshilla e fundit shkencore është që varianti Delta, i zbuluar së pari në Indi, është 40% më i transmetueshëm se lloji Kent.

Më parë na ishte thënë nga grupi këshillimor shkencor për emergjencat (Sage) se do të kishte probleme nëse një variant do të ishte 40% deri 50% më i transmetueshëm.

Ata thanë se kjo “do të çonte në një ringjallje thelbësore të shtrimeve në spital” dhe do të ushtronte presion mbi NHS.

Megjithatë, ndërsa Hancock e bëri atë koment në Andrew Marr Show, ai gjithashtu tha se shtrimet në spital mbetën përgjithësisht të sheshta për tani – dhe kjo kryesisht për shkak të suksesit të programit të vaksinimit deri më tani.

“Kjo shifër, prej rreth 40 për qind më i transmetueshëm, realisht është e dhëna e fundit që kam marrë”, tha ai për Sky Neës. Varianti Delta tashmë është varianti dominues në Mbretërinë e Bashkuar, ka bërë të ditur Zyra e Shëndetit Publik në Angli.

Në janar, për shkak të përhapjes së variantit britanik, që njihet edhe si varianti Alfa, Mbretëria e Bashkuar vendosi masa të izolimit mbarëkombëtar. Hancock tha se shifra prej 40 për qind vjen pas analizave që ka kryer grupi i shkencëtarëve, që këshillon Qeverinë britanike.
Përhapja e variantit indian të koronavirusit, ka rritur shqetësimet në Britani, shtet që ka paraparë që më 21 qershor të heqë masat kufizuese kundër pandemisë. Hancock e pranoi se qeveria ende nuk ka marrë një vendin përfundimtar për heqjen e kufizimeve, për shkak të variantit indian.
“Ne do t’i shikojmë të dhënat edhe për një javë dhe më pas do të marrim vendimin”, tha ai të dielën për BBC-në, duke shtuar se qeveria është e hapur ndaj mundësisë që të shtyjë afatin për heqjen e kufizimeve. Megjithatë ai tha se dy dozat e vaksinës ofrojnë mbrojtje ndaj variantit Delta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *