Erdogan: Turqia nuk është magazinë refugjatësh për Europën

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u ka bërë thirrje vendeve europiane që të mbajnë përgjegjësi për afganët që duan të largohen nga regjimi i Talebanëve, duke paralajmëruar që vendi i tij nuk ka ndonjë detyrim që të bëhet “magazinë refugjatësh për Europën”.

“Europa, e cila është kthyer në qendër të vëmendjes për miliona njerëz, nuk mund të qëndrojë jashtë këtij problemi duke mbyllur kufijtë vetëm për të mbrojtur mirëqenien e qytetarëve të saj. Me këtë sjellje, Europa po i kthen shpinën vlerave njerëzore”, tha Erdogan në një dalje për mediat të enjten.

Ai shtoi se rreth gjysma e emigrantëve të parregullt në Turqi që janë regjistruar në tre vitet e fundit, janë nga Afganistani.

Turqia po mban momentalisht 5 milionë shtetas të huaj, mes të cilëve 3,6 milionë sirianë dhe 300 mijë afganë, tha Erdogan. Ai paralajmëroi se do të ishte i hapur për takime me “qeverinë që do të formohet nga Talebanët”.

Rreth 500 shtetas turq janë larguar nga Afganistani së fundmi, dhe 300 të tjerë janë ende aty, në pritje për t’u kthyer në shtëpi sa më shpejt, deklaroi presidenti turk.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *