Mickoski sfidon pushtetin: Ku i keni edhe 7 deputetë?!

Kryetari i VMRO-DPMNE-së ka sfiduar sot shumicën parlamentare dhe Qeverinë aktuale, duke i pyetur se ku i kanë shtatë deputetët që nuk votuan në mbështetje të zëvendës kryeministrit Nikolla Dimitrov gjatë seancës parlamentare ku shqyrtohej interpelanca e inicuar nga opozita kundër tij. Mickoski vlerëson se kjo dëshmon që ata deputetë së shpejti do të mund të votonin për një shumicë të re ose Qeveri të re.

Ajo që u dëshmua në interpelancën e Dimitrovit është se Zaev nuk e ka besimin e 63 deputetëve. Kjo nënkupton se nëse sot do të votohej besimi për Qeverinë, ai nuk do të kalojë, sepse do të ketë vetëm 55 deputetë. Kështu që në vend se të rrotullojnë tezat e tyre, duhet të pyeten se ku i kanë shtatë deputetë të cilët para gjashtë muajve votuan për Nikolla Dimitrovin. Mos do të ju ndodhë që ata gjashtë ose shtatë deputetë më pas të votojnë për Qeveri tjetër ose ndonjë shumicë tjetër parlamentare edhe atë së shpejti”.

Nga ana tjetër, zëvendës kryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski ka thënë se shumica parlamentare është stabile dhe porositi partinë opozitare që të meret më shumë me riorganizimin e brendshëm partiak.

Lupço Nikollovski

“VMRO-DPMNE para se gjithash duhet të riorganizohet, transformohet, modernizohet, që të ketë qasje pozitive te qytetarët, që të ketë kapacitete koalicionimi dhe që qytetarët të shohin diçka tek ata. Deri më tani as nuk ofrojnë njerëz, as nuk ofrojnë program, as nuk ofrojnë projekte dhe janë parti e ngatëryar në kriminalitet, në padi dhe dëshirojnë të frenojnë vendin. Qytetarët qartë e kanë dërguar mesazhin e tyre”.

Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, komentet për shumicën parlamentare i bëri gjatë vizitës në zonën industriale Çojlija, prej ku përsëriti edhe qëndrimin rreth realizimit të regjistrimit dhe se me grumbillimin e nënshkrimeve dhe dorëzimin e Ligjit në Kuvend do të kërkojnë shfuqizimin e ligjit të miratuar për regjistrim. Sipas tij, nuk ka nevojë për zbatim të regjistrimit në kohë pandemie dhe propozon ky operacion të realizohet në formë elektronike, përmes krahasimit të bazave të të dhënave të cilat i posedojnë institucionet kompetente.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *