Rrugëtimi i Ziadin Selës! Ku gaboi lideri i deritanishëm i Aleancës për Shqiptarët?

5 muaj më parë, në Kongresin e dytë të partisë, Ziadin Sela, u rizgjodh për së dyti herë kryetar i Aleancës për Shqiptarët. Ishte i bindur se në zgjedhjet e ardhshme, Aleanca për Shqiptarët do të dalë fituese.

“Do të fitojë Aleanca për Shqiptarët bashkë me shqiptarët, bashkë me subjektet e tjera politike me të cilat mendon që është bërë gjithçka e tepërt dhe shqiptarët do të duhet të hapin një kapitull të ri”, kishte thënë kryetari i ASh-së Ziadin Sela.

Mandatin nuk e çoi në fund. Për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhjet për Këshill komunal në Tetovë, Sela dje dha dorëheqje.

“Unë nga ky moment jap dorëheqje të parevokueshme nga kryetari i Aleancës për Shqiptarët”, tha Sela.

Por, si ishte udhëtimi i Selës në udhëheqjen e Aleancës. Gjatë kryesimit të kësaj partie, Sela lidhi disa koalicione. Koalicioni i fundit ishte ai me VMRO-DPMNE-në.

2 muaj para zgjedhjeve të fundit lokale, Aleanca aso kohe së bashkë me Alternativën u morën vesh që të bashkëpunojnë me VMRO-DPMNE duke i dhënë vota dhe anasjelltas në komunat ku do të kenë nevojë partitë. Koalicioni nuk pati këmbë të mbarë, VMRO-DPMNE arriti të marrë 42 komuna, plus Qytetin e Shkupit që i dha mbështetje kryetares së pavarur Danella Arsovska, kurse ASh vetëm 2 komuna, Gostivarin dhe Vrapçishtin, ndërsa Studeniçanin e mori pas kalimit të Azem Sadikut nga PDSH në ASh.

Pas protestave kundër propozimit francez dhe ngjarjeve me shkarkimin e ish drejtorit të Higjienës Komunale, ASh prishi koalicionin me VMRO-DPMNE.

“Ne nuk kemi pasur asnjë bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në, por tani jemi distancuar plotësisht nga politikat e zbatuara nga VMRO-DPMNE”, kishte thënë nënkryetari i ASh-së, Arben Taravari.

Në vitin 2020 ASh bëri koalicion me Alternativën. Synimi i dy partive ishte për ta mposhtur BDI-në.

“Prej në momentin që hodhëm në firmën në marrëveshje, nuk ka deputet te Aleancës ose Alternativës, po ka deputet të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alterantiva”, tha Sela.

 “Ne do të kujdesemi për gjithë shqiptarë, pavarësisht cilën parti ata e votojnë. Ata duhet të ndjehen të sigurt se ne do të ju shërbejmë atyre pavarësisht bindjeve të tyre politike”, tha Afrim Gashi nga Alternativa

Nuk shkoi gjatë, pas pothuajse një viti në dhjetor të 2021 prishën koalicionin me Alternativën.

“Ne jemi të befasuar me lehtësinë se si mundet një parti politike e cila deri ishte në koalicion me ne, të heq dorë nga një nënshkrim të cilin e ka dhënë për një marrëveshje bashkëpunimi me ASH deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa shumë shpejt të nënshkruan marrëveshje për tu bërë pjesë e Qeverisë”, kishte thënë deputeti i ASh-së Elmi Aziri.

Një ditë më pare Alternativa la Aleancën e hyri në Qeveri me LSDM-në dhe BDI-në.

 “Në fjalorin dhe në diskursin tonë politik të komunikimit me opinionin as unë si kryetar i AAA por edhe eksponentët më të lartë partiak, asnjëherë nuk mund të gjeni ndonjë komunikatë zyrtare ku ne e kemi quajtur me fjalë të rënda një Qeveri”, kishte thënë Gashi.

Në 2017 ASH braktisi qeverisjen me LSDM-në. Largimi prej Qeverisë ishte për shkak të marrjes së postit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Por ku gaboi Sela? Sipas analistit Sefer Selimi, Sela në udhëheqjen e tij ka bërë dy gabime thelbësore.

“Në pikëpamjen time, dy ishin gabimet thelbësore në udhëheqjen e partisë, natyrisht nuk besoj se i ka marrë vetë, po bashkë me kryesinë, zgjedhja e partnerëve dhe vendosja e bashkëpunimit me ata dhe e dyta është mos arritja ta konsolidojë degën e ASH në Tetovë me figura të cilat do të mundnin të mbledhin një numër më të madh të votave dhe t’i japin një shtysë edhe më të madhe kësaj partie”, tha analisti Sefer Selimi.

Pas dorëheqjes të së dielës Sela tha se fillimisht organet e partisë në ditët në vijim do të caktojnë ushtrues të detyrës kryetar partie. Emri më i përfolur për zëvendësimin e tij është Arben Taravari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *