Shpërthim i papritur në gazsjellësin Nord Stream, shikoni videon e rrjedhjes së gazit në det

Kremlini njoftoi se nuk e përjashton mundësinë që dëmtimi i gazsjellësit Nord Stream në Detin Baltik të jetë shkaktuar nga sabotazhi, ndërsa Komisioni Europian thotë se është e parakohshme të spekulohet për shkakun e rrjedhjes së gazit në dy tubacionet që synojnë të dërgojnë gaz nga Rusia në Europë.

Nord Stream AG, operatori i tubacionit të gazit, njoftoi më herët të martën se tri linja detare Nord Stream kishin pësuar dëme “të paprecedenta” brenda një dite. “Asnjë opsion nuk mund të përjashtohet”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov kur u pyet për mundësinë e sabotazhit.

Autoriteti Danez i Energjisë (DEA) thotë se ka shumë gaz që rrjedh dhe se vrima në Nord Stream 2 është e madhe, përcjell Gazeta Express.

Kreu i kësaj organizate daneze thotë se rrjedhja e gazit do të vazhdojë edhe për disa ditë, e ndoshta edhe një javë. Ai thotë se një sasi e madhe flluskash në sipërfaqe tregojnë se vrima në tub është shumë e madhe. Autoritetet detare daneze kanë lëshuar një paralajmërim lundrimi dhe po paralajmërojnë anijet që të mos lundrojnë brenda pesë miljeve detare nga rrjedhja.

Ushtria daneze publikoi pamje nga helikopterët që tregojnë flluska në sipërfaqen e detit të shkaktuara nga një rrjedhje gazi.

Televizioni kombëtar suedez SVT raporton se sizmologët kanë regjistruar shpërthime nënujore pranë gazsjellësit Nord Stream në 36 orët e fundit. Shpërthime janë regjistruar në afërsi të vendit ku ka ndodhur rrjedhja e gazit.

“Nuk ka dyshim se këto janë shpërthime”, thotë Björn Lund, nga Rrjeti Kombëtar Sizmik Suedez, SNSN. Shpërthimi i parë u regjistrua në orën 2:03 të mëngjesit të së hënës dhe i dyti në orën 19:04 të së hënës.

Paralajmërimet për rrjedhjen e gazit erdhën nga Administrata Detare përkatësisht në orën 13:52 dhe 20:41 të së hënës, pasi anijet zbuluan flluska në sipërfaqe.

“Ju mund të shihni qartë se si valët reflektohen nga fundi në sipërfaqe. Nuk ka dyshim se ka pasur shpërthim”, raportoi SVT.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *