62 mijë litra naftë kontrabandë nga Libia tentohen të futen në Shqipëri

Tentativa për të futur naftë kontrabandë nëpërmjet Durrësit, ka çuar në prangosjen e 13 personave, mes të cilëve tre janë shqiptarë, ndërsa 10 të tjerë shtetas të huaj.

62 mijë litra naftë nga Libia, kishin si destinacion tregun shqiptar. Bashkë me naftën janë sekuestruar edhe dy peshkarexha, nëpërmjet të cilave ka qenë duke u zhvilluar operacioni kontrabandë i naftës libiane.

Sipas policisë, dy peshkarexhat janë konstatuar më 12 janar dhe një ditë më pas është kryer edhe operacioni i policisë shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanza, që ka çuar në arrestimin e pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes “Geni”, si dhe anijes libiane “Abobakr 124”.

Policia ka deklaruar se këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”,
dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Policia ka bërë të ditur më tej se në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, midis strukturave të Policisë së Shtetit, Zyrës Ndërlidhëse italiane Interfocë, GDF-së, QNOD-së dhe rojës bregdetare, bazuar në inteligjencën informative të siguruar nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, se në hapësirën detare mund të kryhej veprimtaria e paligjshme e kontrabandimit të naftës për në Shqipëri, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Geni”.

Sipas saj, bazuar në këto informacione të siguruara nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, ka lindur nevoja e përfshirjes në operacion edhe të një avioni të GDF-së, e Barit të Italisë, shkroi Rtsh.


“Operacioni policor dhe veprimet hetimore kanë zgjatur 48 orë, në det dhe në tokë. Gjatë operacionit u bllokuan 2 anijet dhe u arrestuan pjesëtarët e ekuipazheve të tyre”, është bërë e ditur në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *