Lufta në Ukrainë zhvendoset në territorin rus, qytetarët evakuohen nga qyteti Belgorod i Rusisë

Lufta në Ukrainë zhvendoset në territorin rus. Sulmet janë gjithnjë e më të shpeshta, veçanërisht me dronë, në qytetin kufitar Belgorod.

“Ilaçet i kam në shtëpi, nuk kam asgjë me vete, gjithçka më mbeti në shtëpi, thjesht i mora dokumentet”, tha një Bbanore e Belgorodit.

Vetëm në 24 orët e fundit, zyrtarët rusë thanë se sulmet me dronë kishin ndodhur edhe në rajonet Bryansk dhe Kursk. Sulmi kishte në shënjestër edhe periferinë e qytetit rus të Smolenskut. Rusia tha se pas sulmeve qëndron Ukraina. Nga ana tjetër, Kievi mohon përfshirjen dhe ia atribuon sulmet të ashtuquajturit “Korpusi Vullnetar rus”, i cili po lufton në anën e ukrainasve. Kohët e fundit, Kremlini është vënë në shënjestër, si dhe një numër rafinerish dhe aeroportesh në Rusi.

Perëndimi reagoi me vetëpërmbajtje. Megjithatë, një zyrtar në Berlin tha se çdo sulm ukrainas në territorin rus do të justifikohej në vetëmbrojtje. Uashingtoni, ndërkohë, ka bërë thirrje që të mos përdoren armët mbrojtëse të SHBA-s në sulmet ndaj Rusisë, në mënyrë që të mos përshkallëzohet më tej lufta. Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një paketë të re ndihme ushtarake prej 300 milionë dollarësh për Ukrainën.

“Kremlini shpesh pretendonte se kishte ushtrinë e dytë më të fortë në botë, dhe shumica e besonin atë. Sot, shumica mund ta shohin se ushtria ruse është e dyta më e forta në Ukrainë, duke gjykuar nga pajisjet, teknologjia, udhëheqja, trupat, strategjia, taktikat dhe morali i saj. Ky është një shembull klasik i dështimit”, deklaroi Antony Blinken – Sekretari Amerikan i Shtetit.

Blinken tha se një armëpushim mund të vijë vetëm pasi trupat ruse të jenë tërhequr nga territori ukrainas. Shpresat për të ndaluar luftën përmes bisedimeve të paqes mbërritën nga Kina neutrale.

“Kina beson se nëse vërtet duam t’i japim fund luftës, të shpëtojmë jetë dhe të arrijmë paqen, është e rëndësishme që të ndalojmë dërgimin e armëve në fushën e betejës, ose përndryshe tensionet do të rriten”, u shpreh LI Hui – I dërguari i posaçëm kinez në Kiev.

Blinken tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin përpjekjet e Kinës, Brazilit apo çdo vendi tjetër nëse ata ndihmojnë në gjetjen e një rruge të paqes. /Luka Andreev/Alsat.mk VIDEO

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *