Hoxhaj për zgjedhjen e presidentit: VV-ja të mos mendojë se do të shfaqemi në seancë pa biseduar më parë

Ushtruesi i detyrës së PDK-së, Enver Hoxhaj, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se Vetëvendosja nuk duhet të mendojë se PDK-ja do të shfaqet në seancë për ta zgjedhur dikë president pa biseduar fillimisht.

“Demokracia është dialog i pashtershëm, ata nuk duhet të mendojnë se PDK’ja do të shfaqet në seancë për ta zgjedhur dikë president, përtej kandidaturës së zonjës Osmani”, është shprehur Hoxhaj.

Tutje, ai ka komentuar figurën e Osmanit si kandidate për presidente nga lista e VV-së.

“Osmani më shumë ka qenë faktor i përçarjes sesa i unitetit. Mënyra se si e ka keqpërdorur zyrën e presidentit Thaçi një orë pas konfirmimit të aktakuzave të Thaçit, se si e ka goditur KQZ-në, mënyra se si është sjell me partinë e vetë, me LDK-ë…”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj gjithashtu tha se PDK-ja nuk është parti politike që përmes opozitës e avancon dikë në karrierë, duke aluduar në Vjosa Osmanin. Sipas tij, nëse VV-ja kërkon votat e PDK-së, fillimisht duhet të ulen në tavolinë për të biseduar.

“Ne nuk jemi parti politike që përmes opozitës e avancojmë dikë në karrierë. Nëse ata kanë nevojë për votat tona, ata duhet të ulen në tavolinë me neve”, shtoi Hoxhaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *