Gjykata Supreme në Kosovë hedh poshtë nëntë ankesa kundër vendimeve të PZAP-së

Gjykata Supreme ka njoftuar të enjten se ka refuzuar nëntë nga 15 ankesat e pranuara, kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Gjashtë ankesa tjera është thënë se do të trajtohen në 72 orët e ardhshme.

Ankesat u janë refuzuar: Anton Shalës, Nezir Çoçajt, Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Hotit, Ismet Shamollit, Hisen Berishës, Lirie Kajtazit, Ekrem Hysenit dhe Gentrit Sylës.

Ankesat kanë qenë të lidhura me kërkesa për rinumërim apo manipulim me vota.

Ankesa e Adrijana Hoxhiqit, udhëheqëses së subjektit politik boshnjak “Komuniteti i Bashkuar- Adrijana Hoxhiq”, nuk është trajtuar ende.

Ajo i është drejtuar Gjykatës Supreme për të kundërshtuar një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që ia anuloi mbi 4.200 vota, që i kishte siguruar në komunat e banuara me shumicë serbe.

Hoxhiq e ka vlerësuar vendimin e PZAP-së, të marrë më 8 mars, si “skandaloz dhe të papranueshëm”, pasi sipas saj, me anulimin e votave, shkelen të drejtat themelore të qytetarëve të Kosovës.

Ajo ka paralajmëruar se nëse Supremja nuk hedh poshtë vendimin e PZAP-së, do të shfrytëzojë edhe instanca të tjera gjyqësore, duke aluduar në Gjykatën Kushtetuese dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *