Kamberi i thotë Vuçiqit se nuk është i interesuar për pozita në Qeveri: Qasja e Serbisë ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, është pritur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një takim konsultativ për kandidatin për kryeministër.

Kamberi ka njoftuar se në këtë takim, e ka njoftuar Vuçiqin se nuk janë të interesuar për asnjë pozitë në nivel qendror.

Ai ka thënë se ia ka bërë të qartë Vuçiqit se interesi i vetëm i tij është avancimi i të drejtave të shqiptarëve që duhet të fillojë nga institucionet shtetërore.

“Presidentit Vuçiq i prezentuam kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës të bazuara në Planin 7-pikësh, ripërsëritëm qëndrimin tonë të përbashkët se nuk jemi të interesuar për asnjë pozitë në nivel qendror, por që konsiderojmë se avancimi i të drejtave të shqiptarëve është interesi jonë i vetëm dhe ai duhet të fillojë nga institucionet shtetërore të nivelit lokal e rajonal. Qasja e shtetit ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë”, ka shkruar ai.

Ai ka njoftuar se në këtë takim e ka përmendur edhe nevojën për ndaljen e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.

“Rasti i mjekëve të diskriminuar të Preshevës kërkon zgjidhje urgjente, njëjtë sikur integrimi i shqiptarëve të kualifikuar në polici. Me presidentin Vuçiq diskutuam edhe për nevojën e privatizimit të Banjës së Bujanocit, rritjes së investimeve në nivel lokal dhe ndaljen e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve. Shkollat në gjuhën shqipe dhe përmirësimi i infrastrukturës në to do duhej të jenë agjendë e qeverisë së re ndërsa riemërimi i shkollës në Bilaç në Ismail Kadare do duhej të siguronte qasje konstruktive të ministrisë. Diplomat kërkojnë zgjidhje urgjente. Nga to varet edhe avancimi i pozitës së shqiptarëve të Luginës dhe sigurimi i një perspektive më të mirë për të gjithë”, ka shkruar më tej ai.

Kamberi më tej ka thënë se institucionet shtetërore në nivel lokal duhet të hapin dyert për integrimin e shqiptarëve.

“Mbyllja e tyre nënkupton përjashtim të popullsisë shumicë në Luginë të Preshevës”, është shprehur ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *