Sa deputetë mangut është Vetëvendosje për t’ia bërë kuorumin Vjosa Osmanit?

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë nisur këto ditë një seri takimesh me liderët e partive apo koalicioneve që do të jenë pjesë e Legjislaturës së VIII të Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të kushtetutohet më 22 mars.

Ata sot u takuan me liderin e partisë Iniciativa Rome [RI], Gazmend Salijeviq, ndërsa pritën edhe Adem Hoxhën, përfaqësuesin e goranëve.

Çifti që mëton të udhëheq shtetin dje priti në takim edhe përfaqësues të komunitetit boshnjak, egjiptian dhe ashkali – ndërsa në ditën e parë janë takuar me përfaqësuesit e PDK-së dhe AAK-së.

Kurti e Osmani të premten do të takojnë edhe Lumir Abdixhikun, kryetarin e ri të LDK-së për të diskutuar formimin e institucioneve të reja.

Problemi i presidentes

Vjosa Osmani kërkon të bëhet presidente e Republikës së Kosovës ani pse deri më tash është kërkuar të vihet standardi i një presidenti apartiak nga ajo dhe nga partneri i saj politik Albin Kurti.

Por, sa vota kanë deri tash?

Vetëvendosje i ka fituar 58 mandate e bashkuar me Listën Vjosa dhe me Alternativën e Mimoza Kusari Lilës.

Partia e Albin Kurtit – pas vendimit të Gjykatës Supreme që mbështeste gjetjet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa – mund të llogaris edhe në hiç më pak se nëntë deputetë tjerë të komuniteteve të pakicave.

Në dhjetëshen përbërëse të komuniteteve pakicë jo-serbe, nuk përfshihet përfaqësuesi i goranëve, Adem Hoxha dhe ai i Iniciativës Rome që pritet të bashkërendohet me Listën Srpska.

As Lista Srpska nuk pritet të bëj obstruksione të fuqishme, por as nuk pritet të mbështes Vjosa Osmanin për t’u zgjedhur presidente.

Kjo nënkupton se Vetëvendosje do t’i ketë më së shumti 66 deputetë. Një gjë e tillë nënkupton se Vetëvendosjes i duhet prania në sallën e Kuvendit gjatë zgjedhjes së presidentit, e të paktën 14 deputetëve të tjerë. /Periskopi 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *