Jetoj në Sheh Xherrah. Për palestinezët, kjo nuk është “punë pronash”

Kërcënimi ndaj shtëpive të fqinjëve tanë është kapitulli i fundit në një fushatë të gjatë për të fshirë praninë palestineze në Jeruzalem. Lagjja Sheh Xherrah sot mban erë çorapesh të fëlliqura dhe mishi të kalbur.

Automjetet e policisë izraelite, të njohura si “kamionët qelbës”, kanë spërkatur shtëpitë palestineze, dyqanet, restorantet, hapësirat publike dhe institucionet kulturore palestineze me ujë të qelbur të hedhur me presion të lartë. Ky ujë shkakton të vjella, dhimbje stomaku dhe irritim të lëkurës dhe është krijuar fillimisht nga një kompani izraelite për të sprapsur protestuesit.

Era e keqe në rroba, lëkurë dhe shtëpi, zgjat me ditë duke i bërë palestinezët të bëjnë shaka se i gjithë Jeruzalemi mban era fekale. Protestuesit shenjëstrohen edhe në mënyra të tjera gjithashtu. Ata rrihen brutalisht, arrestohen nga policia, ku disa prej tyre janë police mbi kuaj, sulmohen nga kolonët dhe goditen me plumba gome.

Këto forma të ndëshkimit kolektiv synojnë të ndalojnë nismën gjithnjë në rritje për të shpëtuar lagjen Sheh Xherrah dhe për të ndaluar shpronësimin e 27 familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre atje. Familja ime ka jetuar në Jerusalem për disa breza që kur ata ikën nga gjenocidi armen në vitin 1915. Në 1948, gjatë Nakba-s, ata u dëbuan nga shtëpia e tyre në Jerusalemin Perëndimor dhe gjetën strehë në pjesën lindore të qytetit. Tani jetojmë në lagjen Sheh Xherrah dhe fqinjët e mi janë në prag të dëbimit nga shtëpitë e tyre.

Çdo ditë gjatë muajit të kaluar, palestinezët nga të gjitha shtresat e jetës janë mbledhur në lagje për të ndarë së bashku iftarin (çeljen e agjërimit) jashtë shtëpive që janë nën kërcënim: duke gëzuar dhe duke ndarë shaka së bashku, pavarësisht nga graviteti i situatës. Himnet dhe këngët fillojnë pas namazit, vetëm për t’u përballur më pas me talljet e kolonëve dhe me represionin  e policisë. Tani lagjja është shndërruar në një zonë ushtarake.

Pikat e kontrollit në çdo cep lejojnë hyrjen në lagje vetëm të banorëve rezident, duke na përjashtuar nga bota. Ne na duhet ta durojmë këtë ngacmim nga kolonët dhe policia thjesht për shkak se jetojmë në shtëpitë tona.

Ndërsa çështja e dëbimit nga shtëpitë në lagjen Sheh Xherrah kanë zënë titujt kryesorë (të lajmeve), ky lloj i ngacmimit dhe dhunës ndaj banorëve nuk është i ri. Shtatorin e kaluar, në ditën që gjyshja ime ndërroi jetë, te makina ime kishin lënë mbishkrimin “Arabët janë mut”. Vetëm dy javë më parë, për të festuar Pashkën Ortodokse, u përpoqa të marr pjesë në procesionin vjetor të mbajtur nga bashkësitë siriane dhe armene pjesë e të cilave unë jam.

Së bashku me palestinezët e tjerë, u sulmova nga oficerët e policisë dhe u pengova që të hyja në Qytetin e Vjetër. Disa javë më vonë, adhuruesit u sulmuan brutalisht ndërsa luteshin në Xhaminë al-Aksa. Si palestinezë, ne ndiejmë se çdo shprehje e identitetit tonë po fshihet dhe po margjinalizohet.

Politikat diskriminuese të Izraelit në Jerusalem, përfshirë zhvendosjen e planifikuar të banorëve, nuk kanë të ndalur. Nga planifikuesit dhe zyrtarët izraelitë ne cilësohemi se jemi “bombë demografike me sahat “. Në këtë qytet, ideja e një “ekuilibri demografik” midis arabëve dhe hebrenjve qëndron në themel të planifikimit komunal dhe të veprimeve të shtetit. Që nga okupimi i paligjshëm i Jeruzalemit Lindor në 1967, politika izraelite është përqendruar në mbajtjen e një raporti 70/30 të hebrenjve ndaj arabëve në qytet – e ndryshuar më vonë në një raport 60/40 kur autoritetet thanë se e para “nuk ishte e realizueshme”.

Kjo është bërë në mënyra të panumërta, përfshirë vendosjen si pykë të ndërtimeve të kolonëve izraelitë në lagjet palestineze, prishjet e shtëpive dhe heqjen e të drejtës së leje qëndrimit.

Që nga viti 1967, rreth 14,500 palestinezëve iu është hequr statusi i rezidentit. Në mënyrë që të marrin karta identiteti, palestinezët nga Jerusalemi duhet të provojnë vazhdimisht se Jerusalemi vazhdon të jetë “epiqendra e jetës së tyre”, përmes provave të kontratave të qirasë dhe faturave të ujit e dritave në emrin e tyre.

Kjo shoqërohet edhe me vizita të befasishme (të autoriteteve), për të kontrolluar që vërtet jetojmë në shtëpi dhe kjo përfshin edhe kërkimin për të parë nëse furçat e dhëmbëve në banjë janë apo jo të përdorura. Nëse palestinezët e Jerusalemit largohen nga vendi ose transferohen për të banuar në Bregun Perëndimor, statusi i tyre i rezidencës anulohet, duke i lënë ata pa dokumente zyrtare dhe duke ia bërë të pamundur që të kthehen në shtëpi.

Çdo pesë vjet unë duhet të paraqitem në Ministrinë e Brendshme të Izraelit me prova të qëndrimit tim në Jerusalem si dhe të paraqes transkriptet e çdo kursi shkollor që kam marrë gjatë studimeve universitare në Angli. Në çdo vizitë, ne jemi subjekt i pyetjeve poshtëruese dhe invazive, dhe në çdo rast shqetësohemi se ata mund të na heqin mënyrën e vetme për të qëndruar.

Ka pasur shumë përpjekje për të portretizuar si incidente të izoluara e individuale rastet e shpronësimit në Jerusalem, dhe në lagjen Sheh Xherrah posaçërisht, duke i portretizuar ato si “mosmarrëveshje pronash” që zvarriten për vite me radhë në gjykatë. Por për palestinezët, Sheh Xherrah është thjesht një mikrokozmos i jetës në Jeruzalem. Kjo lagje simbolizon spastrimin e vazhdueshëm etnik të tokës dhe shtëpive tona. Palestinezët po durojnë fshirjen, margjinalizimin dhe spastrimin, dhe atyre iu ndalohet e drejta themelore e kthimit në shtëpitë dhe pronat e tyre zanafillore.

Një pronar i një dyqani ushqimesh në lagjen Sheh Xherrah kohët e fundit më tha: “E gjithë jeta jonë ka qenë vetëm … shtypje, shtypje, shtypje. Ata nuk kanë për të na lënë që të jetojmë ”. Tani, palestinezët kudo janë duke dalë në rrugë dhe duke kërkuar të drejtën e tyre për jetë, një jetë të mbarsur me liri dhe me dinjitet në atdheun e tyre.

Beteja për Sheh Xherrah është beteja për Jerusalemin. Pas një eksperience të gjatë me regjimin e zhvendosjes të instaluar nga Izraeli, ne e dimë se çfarë është në rrezik: vetë qëndrimi ynë në qytet. Dhe ndërsa bombat bien në Gaza dhe demonstratat shpërthejnë në të gjithë vendin, turmat izraelite me bashkëpunim policor marshojnë në rrugë duke brohoritur “vdekje arabëve”, duke u përpjekur që të linçojnë arabët dhe të shkatërrojnë dyqanet dhe makinat palestineze.

Ne palestinezët, pa marrë parasysh se ku banojmë, po ngrihemi së bashku. Opsioni ynë i vetëm është të jetojmë të lirë, dhe që të ndodhë kjo, pandëshkueshmëria e Izraelit duhet të marrë fund./ The Guardian/Përktheu: Rezart Beka

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *