Rruga Tetovë-Prizren/ Po projektohet qarkorja nga Tetova deri në kufirin e Kosovës dhe po vlerësohet efektiviteti i investimit të rrugës

Për momentin po i realizojmë të fazat paraprake dhe kur të kemi parametra më të saktë dhe precizë lidhur me ndërtimin e rrugës nga Tetova në Prizren, për atë se sa do të kushtonte, a do të shpaguhej dhe ku do të gjendeshin fonde për financim, ne do të vazhdojmë me të gjitha procedurat e tjera, paralajmëroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski.

“Për ne si Qeveri, është thelbësore që studimet mbi përfitimin dhe ndikimin në mjedis të tregojnë vlerësime pozitive që pastaj të fillojnë me përgatitjen e një projekti themelor për lidhjen e Tetovës dhe Prizrenit. Por, derisa të marrim vlerësime pozitive nga studimet dhe para-përcaktimet, nuk do të fillojmë me hartimin e projektit themelor. Ka vetëm zgjidhje ideore. Kemi biseduar edhe me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve nga Kosova për këtë çështje, e cila është e rëndësishme për të dy rajonet për lidhjen e qytetarëve”, tha ministri Boçvarski.

Ai specifikoi se për të shkarkuar trafikun në hyrje të qytetit përmes Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore, tashmë është duke u hartuar unaza rreth Tetovës dhe po punohet në rrugën Tetovë – Jazhincë deri në pikën aktuale të kalimit kufitar me çka, siç tha ai, do të jepet kontribut i plotë në përmirësimin e infrastrukturës përreth Tetovës.

Përndryshe, nga Tetova deri në Prizren udhëtojmë 162 kilometra, ndërsa nga Tetova deri në Tiranë duhet të kalojmë 380 kilometra, ndërsa këtë mund ta bëjmë për 190 kilometra nëse do të ndërtohej kjo rrugë.

Por, pavarësisht premtimeve të autoriteteve kosovare, por edhe të Maqedonisë së Veriut ende nuk ka asnjë afat të përcaktuar se kur do të mundet të udhëtohet në rrugën e paralajmëruar vite me radhë, Tetovë – Prizren. Nuk ka kurrfarë detajesh se në cilën periudhë kohore mund të fillojë ndërtimi i kësaj rruge me rëndësi të madhe ekonomike, kur do të mbarojë, apo sa do të kushtojë.

Sa i takon rrugës Tetovë – Prizren, për këtë në “Bombën 38” të publikuar në mesin e qershorit të 2015-s, ish-zëvendësi i ministrit të Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë Tahir Hani nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim u dëgjua duke kërkuar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti që të intervenojë te ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski nga radhët e VMRO-DPMNE-së i cili nuk kishte dashur të dëgjojë për përgatitjen e fizibilit studimit, premtim parazgjedhor i vetë Ahmetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *