E fundit: Albin Kurtit nuk do t’i lejohet të garojë në zgjedhjet e 14 shkurtit

Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit nuk do t’i lejohet t’i prijë listës së VV-së për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Burime të Insajderit brenda KQZ-së kanë konfirmuar se Albin Kurti nuk do t’i lejohet kandidimi për deputet.

“Albin Kurtit nuk do t’i lejohet kandidimi si dhe 46 kandidatëve të tjerë”, ka thënë shkurt ky burim për Insajderin.

Albin Kurti dhe kandidatët tjerë që u është ndaluar garimi në këto zgjedhje, mund të ankohet në PZAP dhe në Gjykatë Supreme.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi përmes një konference për media.

Ai tha se nëse një subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, atëherë ai mund të paraqesë ankesë në PZAP.

“Pas verifikimit, Zyra për Regjistrim do t’i paraqesë në KQZ rekomandimet për aprovimin ose refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve. Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala është e pakënaqur me vendimin e PZAP-së”, ka deklaruar Elezi.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar vitit 2018 kishte shpallur fajtorë katër deputetët e Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, për dy veprat penale, atë të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, veprime këto që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Albin Kurti ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, kurse për veprën penale të pengimit të personit zyrtar është dënuar me gjashtë muaj burgim. Ndaj tij, është shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht.

Vendimi thotë se “në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetutës./Insajderi.org

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *