Kosovari merr veturën me qira në Mal të Zi dhe ia shet vëllait në Lipjan, vet niset për Rusi

Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur në Lipjan, ku gjatë ditës së djeshme është denoncuar një rast i shpërdorimit të pasurisë së huaj, nga një shtetas i Malit të Zi. Sinjali mëson se ankuesi është pronari i një kompanie ‘Rent a Car’ në Budva, i cili ka raportuar në Policinë e Kosovës se një kosovar e ka marrë një veturë me qira në nëntor të vitit të kaluar dhe nuk e ka kthyer më.

Pasi Policia ka identifikuar të dyshuarin, ka shkuar te shtëpia e tij, në fshatin Resinovc, për të marrë një deklaratë lidhur me rastin. Por përveç që s’ishte në shtëpi, ai nuk ndodhet as në Kosovë. Sipas familjarëve të tij, D.S., ka shkuar në Rusi, ndërsa veturën ia ka shitur vëllait në dhjetor të 2021-ës.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Policia e ka gjetur veturën në oborrin e vëllait të të dyshuarit, pasi ai ia kishte shitur për rreth 3500 euro.Automjeti është sekuestruar përkohësisht nga Policia, teksa kanë nisur hetimet për rastin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *