Modeli i “dy Gjermanive” i propozuar në vitin 2012 për zgjidhjen finale mes Kosovës e Serbisë, kthehet në tavolinë – ky është teksti

“Modeli i dy Gjermanive” është modeli me anë të të cilit po parashihet të arrihet një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.


Faktikisht ky është një tekst/marrëveshje kornizë, i punuar qysh në vitin 2012 të cilin Albanian Post e posedon dhe përbëhet prej 12 pikave.

Ky model nënkupton se Kosova dhe Serbia nuk do të njohin pavarësinë e njëra-tjetrës, por të dyja palët, sipas marrëveshjes, marrin përsipër themelimin e zyrave ndërlidhëse në selinë e qeverisë/zyrave ndërlidhëse në territorin përkatës.


Në këtë marrëveshje thuhet se asnjëra palë nuk duhet të cënojë integritetin territorial dhe njëkohësisht, marrëdhëniet mes tyre duhet të jenë të bazuara në fqinjësi të mirë, gjithnjë përmes zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura nga ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian.



Aty parashihet që mosmarrëveshjet eventuale të zgjidhen me mjete paqsore, sic parashihet edhe me Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Po ashtu, aty thuhet se, Kosova dhe Serbia duhet të punojnë së bashku në zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe kthimin e personave të zhvendosur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas këtij modeli, parashihet edhe demarkimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, pra për vendosjen e pikave të reja kufitare.

Respektimi dhe garantimi i të drejtave të minoriteteve në të dyja vendet mbetet kusht i arritjes së një marrëveshje të qëndrueshme. Arsimi, kultura, feja, besimet fetare dhe gjuha e bashkësive minoritare do të gëzojnë trajtim të veçantë.

Tutje, siç bënë të ditur teksti i marrëveshjes, Kosova dhe Serbia duhet të mbështesin aspiratat e njëra tjetrës drejt BE-së dhe të harmonizojnë politikat e tyre me standardet e BE-së.Disa pika të kësaj marrëveshjeje janë parashikuar edhe në Marrëveshjen e Brukselit. Sipas disa informacioneve, aktualisht është duke u punuar për tekstin e zgjidhjes përfundimtare për problemin e Kosovës dhe e cila do të bazohet në këtë model.

Fondacioni gjerman “Konrad Adenauer”, i cili është i afërt me CDU-në dikur në pushtet, të kryesuar nga ish-kancelarja Angela Merkel, qëndronte pas këtij teksti dhe ishte shkruar prej ekspertëve nga Kosova dhe atyre nga Serbia. /Albanianpost.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *