Vetëvendosje nuk ka nevojë për ‘Plan B’, profesori tregon se si do ta zgjedh Vjosa Osmanin Presidente

Çështja e postit të presidentit të vendit, është një nga temat më të përfolura dhe më të rëndësishme kohëve të fundit. Pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, ende nuk dihet se kush dhe si do të zgjidhet Presidenti i Kosovës. Ndonëse, Vjosa Osmani dhe Ramush Haradinaj janë kandidatët kryesor për presidentë, rezultatet e subjekteve politike e kanë vështirësuar mënyrën e zgjedhjes së ndonjërit prej tyre.

Kjo pasi, Vetëvendosje e ka shumë të vështirë të siguroj 81 vota për president, ndërsa AAK ka fituar vetëm 7 % të votave elektorale.

Në planin ‘B’ të VV-së është përfolur kandidimi i Murat Jasharit për postin e presidentit. Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se Albin politike dhe Vjosa Osmani do t’i sigurojnë numrin e votave të deputetëve për ta legjitimuar Osmanin si president të vendit.

“Fitorja e madhe e LVV gjatë zgjedhjeve ka forcuar mjaft pozitën e Vjosa Osmanit për t’u bërë presidente, besojmë se pa farë problemi Albini e Vjosa do gjejnë numrin e duhur të 81 deputetëve në parlamentin e Kosovës për ta legjitimuar, znj. Vjosa Osmanin, si presidente të Republikës së Kosovës”, deklaroi Mehazi.

Profesori tha se në këtë ‘lojë presidenciale’ do të dalin në pah interesat e partive opozitare, që pas humbjes, do të tentojnë të rimëkëmben përmes marrjes së disa posteve.

“E themi këtë për shkak se në këtë lojë presidenciale do dalin në shesh edhe interesat e partive tjera opozitare që pas humbjes sado pak do mundohen të rimëkëmben me marrjen e disa posteve të ambasadorëve e konsujve që do ua jep marrëveshja e bërë me Albinin e Vjosa Osmanit për presidente. Supozimet mediatike e analitike se nëse Vjosa Osmani nuk zgjidhet presidente duhet t’i jepet hapësirë konkurrimi, Murat Jasharit, janë mendime jo argumentuese, më shume janë propozime hipotetike mediatike, sesa politike”, theksoi ai.

Në vazhdim, Mehazi tha se ‘lufta’ për postin e presidentit në parlamentin e Kosovës, po bëhet në mes Vjosa Osmani dhe Ramush Haradinajt, gjë që e vështirëson mundësin e Murat Jasharit për t’u bërë president.

“Politikisht, lufta për presidentin e ri të Kosovës do bëhet brenda parlamentit të Kosovës, në mes Vjosa Osmanit e Haradinaj, kjo luftë e brendshme e partive parlamentare e vështirëson, ardhjen e Murat Jasharit në parlament për t’u bërë president. Askush s’është kundër, Murat Jasharit për t’u bërë president, ai e meriton, po është jashtë marrëveshjeve të partive parlamentare e sidomos jashtë planeve politike të LVV-së për t’u bëre president i Kosovës”, nënvizoi ai.

Në fund, Mehazi tha se pa votat e Lëvizjes Vetëvendosjes askush tjetër nuk mund të bëhet president përveç Vjosa Osmanit.

“Sipas numrit të deputetëve vendos LVV-ja, pa votat e LVV-se të Albin Kurtit jo vetëm Murat Jashari, po askush tjetër nuk mund të bëhet president përveç Vjosa Osmanit.

Nëse, Vjosa Osmani, nuk zgjidhet herën e parë e të dytë me 81 vota, kushtetuta e Kosovës e lejon që herën e tretë, Vjosa Osmani, të zgjidhet vetëm me 61 deputetë presidente e Kosovës, aq sa deputetë i ka LVV-ja”, përfundoi profesori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *