Shpërthimi i Infantinos: T’i shesësh moral Katarit, hipokrizi!

Njeriu i parë i FIFA-s është shfaqur dukshëm i irrituar nga kritikat e pamëshirshme ndaj FIFA-s dhe vendit pritës, të cilat ai i quajti “standarde të dyfishta”.

“Sot ndihem si kataras. Sot ndihem si arab. Sot ndihem si afrikan. Sot ndihem homoseksual. Sot ndihem si një punëtor migrant”, tha Infantino në fillim të një konference për shtyp në Qendrën Kombëtare të Konventave në Doha.

“Po dëgjojmë shumë leksione nga disa evropianë, nga bota perëndimore. Unë jam evropian. Mendoj se për atë që kemi bërë ne evropianët në 3000 vitet e fundit nëpër botë, ne duhet të kërkojmë falje në 3000 vitet e ardhshme, para se të japim leksione morale”, deklaroi Infantino.

Vitet e fundit, shumë media perëndimore kanë kritikuar Katarin për trajtimin e punëtorëve migrantë dhe kjo praktikë ka vazhduar edhe para fillimit të Kupës së Botës.

“Kam ardhur këtu tre vjet më parë dhe kam folur menjëherë për çështjen e punëtorëve migrantë. Nëse Evropa duhet të kujdeset vërtet për fatin e këtyre të rinjve, duhet të bëjë atë që bëri Katari, të krijojë kanale ligjore përmes të cilave mund të vijnë të paktën një numër i caktuar, një përqindje e këtyre punëtorëve. Jepuni atyre njerëzve pak mundësi, pak të ardhme.

“Kjo dhënie e mësimeve për moralin, në mënyrë të njëanshme, është vetëm hipokrizi”, shtoi kreu i FIFA-s.

Infantino shtoi se Katarit duhet njohur për progresin e tij në përmirësimin e të drejtave të punëtorëve, por edhe se FIFA do të vazhdojë të monitorojë reformat pas Kupës së Botës.

Duke folur për të drejtat e popullatës LGBT në Katar, ai kujtoi se homoseksualiteti ishte gjithashtu i paligjshëm në Zvicër kur ky vend organizoi Kupën e Botës në 1954. /tesheshi.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *