Mediat britanike: Bandat shqiptare imitojnë mafien italiane! E kanë “përmbytur” Britaninë me kokainë

Prestigjozja britanike “The Sun” i ka kushtuar një artikull të gjatë bandave shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në Angli.

Me titullin “Si baronët e drogave të kartelit ‘stërvitnin’ bandat shqiptare për të përmbytur Britaninë e Madhe me kokainë”, “The Sun”, shkruan se “gangsterët shqiptarë po mbushin Britaninë e Madhe me kokainë përmes marrëdhënieve të krijuara prej kohësh me kartelet e drogës pasi imitojnë mafien italiane.

“Nuk dihet saktësisht se sa shpesh apo çfarë kontakti të drejtpërdrejtë kanë bandat në Britaninë e Madhe me vetë kartelet, por shqiptarët që jetojnë në Amerikën Latine thuhet se janë lidhja “vendimtare” mes tyre”, shkruan“The Sun”.

Një ekspert për çështjet e drogës është shprehur se marrëdhënia e tyre pavarësisht disa vrasjeve, ka qenë shumë e suksesshme.

“Fakti që ne shohim shumë dërgesa që mbërrijnë në Evropë, të cilat shqiptarët i kanë nën kontroll, tregon se është në funksion. Është një lidhje e fortë dhe e vendosur mes shqiptarëve dhe karteleve. Shumë solid dhe i vendosur mirë”, është shprehur ai.

Eksperti tha se prania shqiptare në Amerikën Latine filloi kur emigruan në Itali pas rënies së regjimit komunist në vitet 1990.

“Atje ata mësuan se si italianët kishin lidhje të forta me kartelet e drogës, përpara se të kalonin në Amerikën Latine në fund të viteve 2000 për të krijuar lidhjet e tyre. Janë ata që arrijnë marrëveshjet mes bandave dhe karteleve, duke përfshirë sasitë dhe kostot, dhe do të organizojnë transportin e drogës në Evropë”.

Eksperti tha se sapo u krijua ky rrjet furnizuesish, bandat shqiptare në Britani dhe në pjesën tjetër të Evropës mundën të kontrollonin tregun, të shisnin më lirë dhe të shisnin më shumë.

“Marrëdhënia e tyre me shqiptarët në Amerikën Latine, dhe për rrjedhojë me kartelet, u vendosën aq mirë, saqë ata tani veprojnë si portë hyrse për drogën në Britani. Atyre u dërgohet e gjithë droga dhe më pas janë ata që do t’i furnizojnë bandat e tjera britanike, duke përmbytur rrugët e Britanisë së Madhe”, shtoi.

Eksperti shtoi se ka shumë mundësi që bandat britanike të mos kenë lidhjet e tyre me kartelet sepse kalojnë përmes bandave shqiptare. Më tej ai ëshë shprehur se shqiptarët në Amerikën Latine konsiderohen madje si “ambasadorë” të bandave në Britaninë e Madhe./Gazeta Express

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *