Said Ismagilov, myftiu që ka kapur armët bashkë me ukrainasit: Ja pse muslimanët duhet ta luftojnë Putinin dhe rusët (FOTO)

Said Ismagilov thotë se ka shumë motive personale në këtë luftë. Kryesori është se myslimanët e Ukrainës nuk e duan pushtimin rus. Rusia nuk është miqësore apo tolerante ndaj Islamit. Që nga koha e Ivanit të Tmerrshëm, myslimanët kanë pësuar humbje të mëdha nga moskovitët. Cari organizoi një masakër në Kazan, dhe urdhëroi vrasjen e të gjithë burrave, madje edhe të djemve të vegjël. Që nga ajo kohë , myslimanët janë shfarosur vazhdimisht në të gjithë Rusinë

Para 24 shkurtit, Said Ismagilov ia dedikonte shërbimin e tij myslimanëve të Ukrainës. Që nga 24 shkurti e deri më sot, shërbimi i tij është zhvendosur në vijën e parë të frontit të luftës. I lindur në Donjck, Ismagilov ishte Myftiu i Administratës Shpirtërore të Myslimanëve të Ukrainës (UMMA). Vendimi i tij për të dalë vullnetar në front (aktualisht po lufton në një nga brigadat para-mjekësore në Bakhmut në Ukrainën Lindore), që lidhet me origjinën e tij. “Rusët e kanë përndjekur familjen time për një shekull, duke shkatërruar gjithçka që kemi dhe vlerësojmë”- thotë 44-vjeçari. Së fundmi, në rrjetet sociale u shfaq një video ku Said lexon suren 48 të Al-Fath, një nga kapitujt e Kuranit kushtuar fitores.

Klipi tregonte rrënojat e Bakhmutit, në sfondin e xhamisë së papërfunduar së ndërtuari, një vonesë e diktuar nga pushtimi rus. Një ndër motivet e shumta pse Ismagilov ka marrë armën, është një motiv personal që mishëron historinë e Ukrainës. “Në vitin 2014, të njëjtët moskovitë erdhën në Donbas dhe më persekutuan. U detyrova të shkoja në Kiev, dhe u vendosa me banim në Buça. Por vjet moskovitët erdhën atje dhe e grabitën shtëpinë time. Jam shumë i zemëruar me ta. Ne duhet ta shkatërrojmë perandorinë e tyre”- shprehet ai. Në një intervistë për gazetën ukrainase, Pravda, Said Ismagilov foli për zbrazëtinë shpirtërore të Rusisë, motivimin e ukrainasve në këtë luftë dhe armën më të fuqishme njerëzore.

SPIRITUALITETI RUS

“Para luftës, unë kam qenë myfti. Takohesha rregullisht me mbretër, presidentë, ministra dhe deputetë. Tani jetoj në të ftohtë, pa ngrohje apo energji elektrike dhe në baltë deri në gjunjë. Nuk kam qenë kurrë në një situatë të tillë. Është e vështirë të parashikosh se si do të sillesh kur shkon në luftë. Shumë njerëz janë në panik. Dikush është i hutuar. Të tjerët, përkundrazi, janë shumë të përqendruar dhe e bëjnë mirë punën e tyre. Ata thonë se Putini premtoi se do ta merrte Bakhmutin deri në Vitin e Ri. Rusët përdorën këtu të gjitha forcat dhe burimet e tyre. Ata po përparojnë si të çmendur, pa llogaritur humbjet. Putin ka një dëshirë fanatike për ta pushtuar Bakhmut, pasi dikur kryqtarët kalonin vazhdimisht nga Evropa në Lindjen e Mesme për të pushtuar Jerusalemin për hir të një ideje. Por spiritualiteti i rusëve është bosh. Unë nuk kam asnjë simpati për armikun.

Sepse po e shoh me sytë e mi se po sillen në mënyrë çnjerëzore. Kjo është tronditje për ukrainasit dhe të gjithë njerëzit normalë. Por për vetë rusët, kjo është normale. Ata kanë një nivel morali aq patetik sa të bëjnë krime të tmerrshme dhe të mos e vrasin mendjen për to. Kur flasin për spiritualitetin rus, është i njëjti mit si mitet për “ushtrinë e dytë të botës” dhe “kulturën ruse”. Në studimet fetare, ekziston një term, ritualizëm, pra kur një person nuk beson në Zot, virtyte morale apo vlera; por kur gjëja më e rëndësishme është kryerja e saktë e ritit. Putin vari një kryq në qafë, shkoi në Kishë, ndezi një qiri dhe dhuroi diçka, dhe ja u bë! Por të gjitha këto rite formale nuk kanë asnjë domethënie. Pasi i njëjti person në jetë mund të sillet si krimineli dhe mëkatari më i keq. Prandaj them se spiritualiteti i rusëve është bosh.

PUTINI SI IVANI I TMERRSHËM

Said Ismagilov thotë se ka shumë motive personale në këtë luftë. Kryesori është se myslimanët e Ukrainës nuk e duan pushtimin rus. Rusia nuk është miqësore apo tolerante ndaj Islamit. Që nga koha e Ivanit të Tmerrshëm, myslimanët kanë pësuar humbje të mëdha nga moskovitët. Cari organizoi një masakër në Kazan, dhe urdhëroi vrasjen e të gjithë burrave, madje edhe të djemve të vegjël. Që nga ajo kohë, myslimanët janë shfarosur vazhdimisht në të gjithë Rusinë. Në Ukrainë, kjo shihet tek historia tragjike e tatarëve të Krimesë. Tani moskovitët në Krimenë e pushtuar vazhdojnë të pësojnë të njëjtin represion.

“Myslimanët e Ukrainës e dinë se të gjitha të drejtat, liritë, jeta fetare dhe ringjallja jonë shpirtërore do të përfundojnë nëse Rusia vjen këtu. Shumica e myslimanëve në Rusinë moderne, pavarësisht se çfarë u bëhet atyre apo si u shkatërrohet gjuha, kultura dhe feja e tyre, durojnë gjithçka. Ata nuk kanë vullnet të rezistojnë. Në këtë aspekt dallojnë vetëm myslimanët e Kaukazit të Veriut, të cilët e kanë kundërshtuar vazhdimisht skllavërinë, rusifikimin dhe shkatërrimin e identitetit kombëtar. Në Kaukaz, vetëdija është më e lartë. Në rajone të tjera të Federatës Ruse, situata është e tmerrshme. Shohim që disa myslimanë janë bërë më rusë se vetë rusët”- thotë kleriku mysliman.

UNITETI ËSHTË FITORE

“Të gjithë duhet të kuptojmë një gjë: Ukraina do të fitojë vetëm në unitet dhe për hir të vetëdijes se kush jemi dhe për çfarë po luftojmë. Kjo frymë vëllazërimi, vlerat e lirive demokratike dhe parimet morale duhet të ruhen edhe pas luftës. Nuk mund të ketë pajtim me bashkëpunëtorët që kanë punuar me Rusinë në territoret e pushtuara. Pas luftës do të duhet të jetojmë për një kohë të gjatë me atë që kemi përjetuar. Gjëja kryesore është që këto kontradikta të mos shndërrohen në një pretekst për konflikte të brendshme. Prandaj pas fitores na duhet një dialog kombëtar. Unë nuk dyshoj tek fitorja jonë. Për të gjithë ushtarët, mbrojtësit, vullnetarët dhe ata që punojnë për Ukrainën në një mënyrë ose në një tjetër, fitorja nuk fillon me armë. Ajo nis gjithmonë tek koka dhe zemra. Kur je i sigurt tek vetja dhe vendi yt, kur kupton se për çfarë lufton dhe nuk ankohesh për mungesën e energjisë elektrike, je tashmë fitues”- thotë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *