Rama për raportet Kosovë-Serbi: “Superfuqitë duhet t’i kapin për veshi sa herë që zihen në oborrin e shkollës”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhet në mënyrë që të mos ketë probleme për të dyja vendet.

Ai është shprehur se “superfuqitë duhet t’i kapin për veshi sa herë që zihen në oborr të shkollës”, raporton mediumi malazez “Pobjeda”.

“Superfuqitë duhet t’i kapin për vesh sa herë që zihen në oborrin e shkollës. Një marrëveshje e bazuar në planin franko-gjerman është gjëja më e mirë që ishte në tryezë, por ky është mendimi im. Unë respektoj sovranitetin e dy palëve për të vendosur për këtë dhe kur të krijohet një situatë e tillë, Qeveria e Shqipërisë dhe unë personalisht do të jemi aty për të mbështetur Qeverinë e Kosovës dhe qeverinë e tyre dhe uroj që të jenë vendimtare dhe të suksesshme”, ka deklaruar Rama.

Ndërkaq, nga ora 15:00 ka nisur në Bruksel takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Pas Kurtit, Borrell e Lajçak pritet ta mbajnë edhe një takim të veçantë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të vazhduar më pas me një takim të përbashkët me të dyja palët.

Në këtë takim do të diskutohet për planin franko-gjerman, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel vite më parë nga Kosova dhe Serbia, duke përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *