
Ende po vazhdon takimi në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ndonëse u raportua se takimi do të zgjasë deri në orën 18:00, bisedimet po vazhdojnë ende.
Nistori mëson se përfaqësuesit e lartë evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, të cilët janë ndërmjetësues të dialogut, e kanë anuluar fluturimin e tyre dhe kërkojnë nga Kurti dhe Vuçiq që të nënshkruajnë marrëveshje.
Këtë informacion e ka konfirmuar edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti, i cili për “T7” tha se sipas informacioneve nga zyrtarët e lartë, Borell dhe Lajçak i kanë anuluar fluturimet për ditën e nesërme.
Aktualisht ka përfunduar edhe pjesa e dytë e takimit Kurti-Vuçiq, dhe raportohet se mund të ketë edhe një raund të tretë apo vazhdimësi edhe nesër. Raportohet se palët kanë ngecur tek puna e nënshkrimit.
Ndryshe, BE-ja më herët tha se Kurtit dhe Vuçiqit do t’iu prezantojnë një “plan të konsoliduar” të zbatimit të propozimit të tyre, që synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
E teksa liderët e Kosovës dhe Serbisë po zhvillojnë bisedime, shumë gazetarë janë duke e përcjellë këtë ngjarje nga qendra mediale në Ohër.
Kjo qendër është vendosur në një objekt tjetër, afër vilës ku po mbahen bisedimet./Nistori/