Paraburgim për një person nga Shkupi, kishte vjedhur disa celularë

Prokuroria Themelore Publike në Shkup, ka bërë të ditur se kanë iniciuar procedurë kundër një 43-vjeçar nga Shkupi, i cili dyshohet se ka kryer tri vepra penale – Vjedhje e rëndë nga neni 236 paragrafi 1 pika 3 të Kodit Penal.

“Gjatë procedurës paraprake janë siguruar dëshmi se më 20 dhe 26 tetor 2022, në një dyqan veshjesh në Qendrën Tregtare të Qytetit në Shkup, i dyshuari ka përfituar nga mosvëmendja e dy vajzave dhe i ka marrë celularët, njëri prej të cilëve në vlerë prej 20.000 dhe tjetri në vlerë prej 77.000 denarë. Më 23 mars të këtij viti, i dyshuari ka shfrytëzuar faktin se autobusi urban që lëvizte përgjatë bulevardit “Mitropolit Teodosij Gologanov” ka qenë i mbushur me njerëz, kështu që nga xhepi i një pasagjeri ka marrë një celular në vlerë prej 20.000 denarë”, thonë nga Prokuroria.

Nga atje bëjnë të ditur se duke vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes së të dyshuarit, prokurori publik kompetent në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit. Ndërkohë Gjykata ka pranuar propozimin dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 8 ditësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *