“Politikanët, të fundit që meritojnë rritje të pagave”

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin shfuqizohen dispozitat e Ligjit për paga dhe kompensime të tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar në Republikën e Maqedonisë, ka nxitur reagime edhe tek funksionarët e vendit. Presidenti Stevo Pendarovski, lidhur me këtë çështje i bëri thirrje Qeverisë që të gjejë një zgjidhje ligjore që do ta rregullonte çështjen nëpërmjet  uljes së pikëve. Ai tha se  është e papëlqyeshme rritja e pagave në kohë krize ekonomike.

Edhe ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani, i pyetur për këtë çështje deklaroi se politikanët duhet të jenë të fundit që marrin pagë më të lartë, ndërsa prioritet duhet të kenë qytetarët me të ardhura më të ulëta.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME

“Nga pikëpamja praktike, çdo politikan që thotë se nuk i intereson rroga e tij, ndoshta nuk dërgon një mesazh të mirë, sepse do të thotë se ka burime të tjera. Unë nuk kam burime të tjera jetese përveç kësaj rroge. Sigurisht, të gjithë do të donin të kishin një pagë më të lartë. Por nga pikëpamja etike, politikanët duhet të jenë të fundit në listën e qytetarëve që duhet të kenë rritje rroge”

Megjithatë, ka thënë duhet të ketë rritje sepse pagat janë skandalozisht të ulëta, por politikanët duhet të jenë të fundit. Osmani shtoi se ky vendim do të diskutohet në seancë të Qeverisë dhe se do të propozojë që të gjithë të kenë rritje të pagave, por prioritet të kenë qytetarët me të ardhura më të ulëta ndaj politikanëve./Medina Ajeti /SHENJA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *