Katër kandidatë për rektor të UT-së

U mbyll konkursi për rektor të Universitetit të Tetovës (UT) për periudhën 2023-2026. Nga Universiteti i Tetovës konfirmuan për Portalb.mk se në garë aktualisht janë katër profesorë, por nuk i tregojnë emrat.

Edhe pse nga UT-ja nuk i tregojnë zyrtarisht emrat, Portalb.mk ka arritur te dokumenti – vendimi i listës së kandidatëve për rektor të këtyre zgjedhjeve, të cilët janë:

Jusuf Zejneli – Fakulteti Juridik (aktualisht dekan),
Myqireme Rusi – Fakulteti Filozofik,
Bashkim Ziberi – Fakulteti i Shkencave Matematiko – Natyrore,
Dervish Alimi – Fakulteti Filologjik.
Nga UT-ja të pyetur për këtë listë as nuk e mohuan dhe as nuk e konfirmuan.

Sipas kalendarit të realizimit të aktiviteteve të zgjedhjeve për rektor, me 14 qershor UT-ja pritet që edhe zyrtarisht t’i shpall emrat, biografitë e kandidatëve dhe programet e punës.

Votimi është paraparë të mbahet më 21 qershor nga ora 12 deri në ora 14, dhe rezultatet pritet të shpallen deri në fund të po kësaj dite.

Sipas statutit të UT-së, rektori e merr detyrën në fillim të vitit akademik.

Në lidhje me këtë rast, ka reaguar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili ka ftuar ministrin e Arsimit, Jeton Shaqirin që të zbatojë ligjin, dhe si rezultat i shkeljeve flagrante, të emërojë u.d. rektor të ri, apolitik, me kredibilitet dhe përvojë mësimore shkencore.

“Vendimet e tij duhet të bazohen në gjetjet e inspektoratit të arsimit, ashtu siç e kërkon ligji dhe jo të atyre që me vite e shkelin atë. E paralajmëroj Ministrin se rreshtimi në anën e shkelësve të ligjit mund të bartë pasoja ligjore për vetë atë. Është mjerim që në vitin 2023 kur bëhen gati 29 vjet nga themelimi, UT të vazhdojë të veprojë jashtë ligjit”, tha Arben Taravari.

Ndërkaq, ministri Jeton Shaqiri, i pyetur para dy ditëve po në Tetovë për këtë rast nëse do ndërmerr ndonjë masë sanksionuese në lidhje me shkeljet e konstatuara në UT nga Inspektorati i Arsimit tha:“Unë nuk mund të vendos derisa nuk kemi ndonjë vendim përfundimtar qoftë të një organi gjyqësor. I apeloj të gjithëve, Universiteti i Tetovës të realizojë një garë demokratike në procesin e zgjedhjes, studentët dhe gazetarët të jenë mbikëqyrës të asaj gare, të jetë konform rregullave ligjore”.

Nga ana tjetër, se sa është demokratik procesi i zgjedhjes së rektorit të ri në UT, krahasuar me garën që u zhvillua së fundmi për rektor të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) për Portalb.mk theksuan se UKM ka treguar një standard të ri të kulturës politike në zgjedhjet për rektor që ka munguar më parë duke organizuar debate mes kandidatëve për promovim të platformave që të jetë sa më i kapshëm si për studentët, ashtu edhe për opinionin e gjerë.

“Nga ana tjetër, UT tash e disa vite gjendet në një mesjetë të dytë: i mbyllur ndaj opinionit publik dhe me shumë parregullsi në vetëfunksiomin e saj. Vetë fakti që në UKM pati 6 kandidatë për rektor ndërkaq në UT secili intelektual e profesor ka frikë të kandidoj, tregon për gjendjen totalitare të universitetit. Në fund, do të kemi një proces zgjedhor post-festum për zgjedhjen e rektorit, ku do të sakrifikohet dikush për hir të demokracisë.”, thanë nga Forumi për Ndryshime në Arsim.

Ky konkurs ishte i dyti që u publikua në periudhë brenda dy javësh, konkursi paraprak u anulua për shkak se kishte kriter shtesë për kandidatët e interesuar. Konkretisht kërkohej që kandidatët e interesuar të kishin 15 vite përvojë pune, ky kriter nuk ishte i paraparë as në Ligjin për arsim të lartë as edhe në vetë Statutin e këtij universiteti, madje i njëjti ishte favorizues për dikë ndërsa diskriminues për disa të tjerë. Ky kriter nuk ishte i vendosur në ndonjë konkurs nga universitetet publike tjera . Kjo shkelje dhe shkelje të tjera u konstatuan edhe nga inspektimi i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit në UT. Konkursi i ri nuk e përmbante këtë element.Ky konkurs është dashur të përfundojë dy vite më parë. Por, konkursi në vitin 2021 nuk u shpall. Ushtrues detyre i rektorit u caktua Reshat Qaili, por ai në këtë detyrë për gjashtë muaj nuk shpalli konkurs për rektor. Më pas, në këtë detyrë në maj 2022 si u.d erdhi Vullnet Ahmeti i cili nuk shpalli konkursin brenda 30 ditëve të parapara si në ligj. Ndërsa së fundmi nëntorin e vitit 2022 në këtë detyrë si u.d erdhi Kushtrim Ahmeti– u.d rektori aktual i cili njëjtë nuk publikoi shpalljen për zgjedhjen e rektorit në afat prej 30 ditëve. Këto shkelje u konstatuan edhe nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Në lidhje me këtë rast që nga publikimi i konkursit paraprak, inspektimi nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, konstatimi i shkeljeve, anulimi i konkursit dhe shpallja e konkursit të ri, lexoni analizën e hollësishme e Portalbit:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *