Biden ia përmend Merkelit rëndësinë e përfshirjes në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Presidenti amerikan Joe Biden e ka përmendur rëndësinë e vazhdimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë konferencës për gazetarë të mbajtur së bashku me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidenti amerikan ka kërkuar më shumë përkushtim për promovimin e demokracisë dhe për luftimin e korrupsionit edhe nga strukturat evropiane por edhe nga vendet kandidate për anëtarësim.

JOE BIDEN, PRESIDENT AMERIKAN

“Ne jemi të bashkuar në angazhimin tonë për të trajtuar problemet me demokracinë, korrupsionin dhe populizmin e rremë në Bashkimin Evropian, mes vendeve kandidate për t’u anëtarësuar në BE, apo kudo në botë. Ne jemi dakord mbi rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane”

Gjatë takimit, presidenti amerikan është përqendruar kryesisht në përballjen me fuqinë që përfaqëson shteti rus në raport me Evropën. Biden tha se ka shprehur shqetësimet e tij te Merkel për një tubacion gazi midis Rusisë dhe Gjermanisë, por ata u pajtuan që Moska të mos lejohet ta përdorë energjinë si armë. /SHENJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *