Pfizer dhe Moderna rrisin çmimet e vaksinave për vendet e Bashkimit Europian

Pfizer dhe Moderna rrisin çmimin e vaksinave anti-Covid në kontratat e fundit të lidhura me Bashkimin Europian. Sipas “Financial Times”, që ka parë dokumentet, çmimi i vaksinës së Pfizer / BionTech rritet me 4 euro, nga 15,5 në 19,5 euro. Sakaq amerikania Moderna do të shesë 2,5 euro më shumë vaksinën e saj, e cila nga 19 bëhet 21,5 euro.

Rritja e çmimit vjen mes shqetësimeve për shpërthimin e infektimeve me variantin Delta, e teksa studimet e fundit kanë treguar se vaksinat e Modernas dhe Pfizer janë të efektshme kundër variantit. Pfizer refuzoi të komentonte kontratën me Bashkimin Europian, duke cituar konfidencialitetin. Edhe Komisioni Europian refuzoi të komentonte të njëjtën arsye, ndërsa Moderna nuk iu përgjigj kërkesës së Reuters për reagim.

Në muajin maj BE nënshkroi një kontratë të re për blerjen e rreth 1,8 miliardë dozave të vaksinës së Pfizer/Biontech që do të dërgohen deri në vitin 2023, por pa zbuluar çmimin. Mbi bazë të programit të përbashkët, blloku ka blerë 330 milionë doza të vaksinës së Pfizer, 100 milionë të AstraZeneca, 50 milionë të Moderna dhe 20 milionë doza të vaksinës me një dozë të Johnson and Johnson. Me herët gjatë korrikut, presidentja e KE, Ursula von der Layen, tha se Bashkimi Europian e kishte arritur qëllimin për sigurimin e dozave të mjaftueshme për vaksinimin e 70% të popullsisë së rritur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *